Mbi 6 Mijë Azilkërkues Kosovarë në Gjermani e Austri Gjatë Vitit 2014

Këtë vit rreth 5.500 kosovarë kanë kërkuar azil në shtetin gjerman, ndërsa një mijë të tjerë në Austri gjatë këtij viti, kanë bërë të ditur ambasadorët e këtyre dy shteteve në Kosovë, Angelika Viets dhe Johan Briegger.

Ata janë takuar sot me ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni për të folur ekskluzivisht për valën e re të emigrantëve kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Diplomati austriak Brieger tha se vetëm në fillim të muajit dhjetor, 340 persona kanë kërkuar azil në Austri.

Ndërsa Ministri Skënder Hyseni u shpreh se ministria që ai drejton ka ngritur mbi 230 kallëzime penale për ata që po i ndihmojnë qytetarët e Kosovës të dalin jashtë vendit ilegalisht.

Ai tha se Ministria e tij po zhvillon hetime për të gjithë ata që janë të përfshirë në mashtrimet ordinere të qytetarëve të Kosovës.

Hyseni gjithashtu pati edhe një mesazh për të gjitha ata që po emigrojnë jashtë Kosovë, duke përdorur rrugë të ndryshme. Ai tha se, ata janë në njohuri për rrugët që qytetarët po i përdorin për të ikur nga Kosovë.

“Qytetarë të Kosovës po paguajnë para të majme, po shesin prona për ta futur veten në telashe, dhe unë u bëj thirrje që të mos e bëjnë këtë, sepse në 99.9 përqind të rasteve asnjërit nga ta nuk do t’u garantohet azil në vendet ku po mbërrijnë, të gjithë do të kthehen, do të kthehen më të varfër se që kanë shkuar”, tha ai

“Kam një mesazh edhe për kriminelet, për ata organizatorë që po përfitojnë prej këtyre njerëzve: do të keni punë me rendin dhe ligjet në Kosovë dhe këtë e them në mënyrën më të vendosur të mundshme”, tha Hyseni.

Ndërsa ambasadorja Gjermane në Kosovë Angelika Viets si dhe Ambasadori Austrika Johann Brieger, thanë se shtete e tyre nuk do ta pranojnë as një azilkërkues nga Kosova.

“Kosova nuk është në mesin e vende që ne japim azil, sepse ata nuk e kanë arsyen e azilit, siç është përndjekja, prandaj shumica e kërkesave për azil tek ne refuzohen”,  tha ambasadorja  Angelika Viets.

Ajo tha se Gjermania është duke bërë përpjekje së bashku me qeverinë e Kosovës, që në Kosovë të hapen vende të reja të punës, dhe që qytetarët të mos e lëshojnë vendin e tyre.

Ndërsa ambasadori austriak tha se ata janë të vetëdijshëm se qytetarët e Kosovës po kalojnë në rrugë shumë të vështira duke u munduar që ata të dalin jashtë shtetit.

Ai tha se Austria do t’i kthejë të gjithë ata që kanë emigruar në formë ilegale në Austri, dhe se kthimi i ardhshëm i tyre do të bëhet me 21 janar përmes lonjës ajrore.

“Në vitin 2009 Austria e ka cilësuar Kosovën si një vend të sigurt dhe as në Austri nuk pranohen kërkesat për azil nga ana e kosovarëve”, tha Johann Brieger.

Por përveç Austrisë dhe Gjermanisë, Hungaria dje ka kthyer një aeroplan special rreth 30 persona të cilët kishin dashur që të iknin nga Kosova duke përdorur rrugët ilegale.

Isuf Isufi i cili e kishte nisur djalin disa ditë më herët që të shkonte  jashtë shtetit me vetëm 150 euro, thotë se prapë do të ia kishte dhënë një leje të tillë. E një leje të tillë nuk do të ia ndalte as nënë e të larguarit.

“E kishim lejuar prapë por s’ka ku shkon, është mbushë edhe andej, përditë po shkojnë e përditë po kthehen. Me e gjete naj vend punë këtu, edhe na ishim kanë me të kënaqur, po kur s’ka asgjë këtu dikah duhet me ja majtë”, tha Isuf Isufi.

Ata që janë kthyer mbrëmë nga Hungaria janë ankuar se gjatë dy muajve të qëndrimit në kampet e këtij shteti, kanë jetuar në kushte të rënda.