Marrëveshje për Lehtësimin në Votim të Personave me Aftësi të Kufizuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me shoqatat që përfaqësojnë persona me aftësi të kufizuara, por që kanë të drejtën e votës.

Krahas KQZ, grupimet nënshkruese janë Shoqata HENDIKOS, Shoqatës e të Verbërve të Kosovës, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve dhe Shoqatë Doën Syndrom Kosova.

Objektivi kryesor i kësaj marrëveshjeje është rritja e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në proceset zgjedhore dhe inkurajimi dhe motivimi i tyre për pjesëmarrje në jetën politike dhe publike.

Gjithashtu, marrëveshja synon edhe avancimin e infrastrukturës ligjore dhe sigurimin e zbatimit të saj, krahas ndërgjegjësimit dhe ngritjes së vetëdijes qytetare mbi të drejtat e personave më aftësi të kufizuara.

Sara Buchanan nga USAID e vlerësoi synimin e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në proceset zgjedhore.

“Prioritet është që personat me aftësi të kufizuara jo vetëm të marrin pjesë në shoqërinë civile, por të marrin pjesë dhe në zgjedhje dhe të rritet pjesëmarrja e tyre në proceset e qeverisjes dhe zgjedhjeve, dhe i ftoj organizatat e tjera që të marrin pjesë në këtë bashkëpunim”, tha ajo.

“Ky memorandum iu ofron mundësi të barabarta personave me aftësi të kufizuara në proceset zgjedhore dhe iu ofron punësim gjatë zgjedhjeve në KQZ në pozita të ndryshme”, tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Afrim Maliqi, nga HENDIKOS tha se ky memorandum iu mundëson që të paktën një ditë, këta persona, të ndjehen të barabartë me të gjithë.

Ndërsa Bujar Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, tha se ky memorandum do të iu ofrojë këtyre personave që jo vetëm të zgjedhin por dhe të zgjedhen.

Enver Kutalani, drejtor i Shoqatës Kosovare të Shurdhërve, tha se duhet të jetë model edhe për institucionet e tjera ky bashkëpunim.

Ndërsa Sebahate Beqiri, drejtore e Doën Syndrome Kosova, theksoi që institucionet përkatëse ta përkrahin këtë marrëveshje.

Kjo kërkesë është parakusht për zbatimin e marrëveshjes në terren.