Lirohet Nga Akuzat Kryetari i Vushtrrisë

Kryetari i Vushtrrisë Bajram Mulaku është liruar nga akuzat me të cilat ngarkohej në procesin gjyqësor ku të akuzuar ishin edhe tre zyrtarë komunalë dhe një person i katërt. I pafajshëm është shpallur edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Sami Istrefi. Gani dhe Naser Ymeri janë dënuar me gjobë, ndërsa Bajram Beqiri me mosushtrim të postit të drejtorit komunal për një vit.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit Sami Istrefin u liruan nga aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Bajram Beqiri, ish-drejtori i Inspektoratit Komunal është dënuar me kusht dhe një vit mosushtrim të postit të drejtorit komunal, edhe pse tash nuk e ka këtë pozitë, ndërsa drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Gani Imeri dhe vëllai i tij Naseri morën dënime me gjobë.

Beqiri tash është shërbyes civil në Drejtorinë e Emergjencave të Vushtrrisë.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë Bahri Bivolaku, pa treguar detajet.

Kryetari Mulaku dhe drejtori Istrefi  janë liruar komplet nga akuza ndërsa për të tjerët ka dënime më të holla dhe kushtëzime, mirëpo atëherë kur gjykata të sjellë edhe fizikisht vendimet do ju njoftojmë me detajet shtesë”, shpjegoi Bivolaku.

Kryetari bashkë me tre zyrtarët komunalë të Vushtrrisë akuzohej për shpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit.

Ky grup, bashkë me të vëllanë e njërit nga zyrtarët ngarkohej edhe për pushtim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, mbajtje të armëve pa leje dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës Bajram Mulaku  në shtatorin e vitit 2012 kishte shtruar në kubëza një rrugë lokale nga e cila kishin dalë përfitues vëllezërit që ishin të akuzuar me kryetarin e Vushtrrisë Gani dhe Naser Imeri.

Rruga me kubëza për shtrimin e së cilës ishte akuzuar kryetari Mulaku gjendet në pronën e  Kooperativës Bujqësore “Vushtrria”, gjegjësisht Ndërmarrjes Shoqërore Bujqësore “Elan”.

Bajram Beqiri që para dy vjetësh ishte drejtor i Inspektoratit komunal, ishte akuzuar se nuk ka ndërmarrë hapa për rrënimin e shtëpive të vëllezërve Imeri, edhe pse parcela ku janë ndërtuar ato është pronë shoqërore.

Edhe pse Bajram Mulaku në mandatin e tij të tretë në krye të Komunës së Vushtrrisë, nuk e kishte emëruar Beqirin si drejtor të Inspektoratit, ai i kishte bërë vend atij në Drejtorinë e Emergjencave.

Megjithëse procesi gjyqësor kundër Mulakut dhe drejtorëve të tij qe nisur në vitin 2012 nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Reshat Millaku, vendimi u mor nga gjyqtarja e EULEX-it Iva Nikshiq, ndërsa prokuror në seancën e fundit ishte Charles Hardaway.