Kurti: Ja Pse Nuk Do Të Jem Kryetar i Vetëvendosjes

Albin Kurti, kryetar i deritanishëm i Lëvizjes Vetëvendosje edhe zyrtarisht është larguar nga drejtimi kësaj partie.

Ai këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një letre të hapur drejtuar aktivistëve të VV-së dhe qytetarëve të vendit ku kaq shpejguar arsyet se pse ka vendosur të dorëhiqet nga pozita e të parit të VV-së.

Kurti ka thënë se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes më 11 janar 2015, u mor vendim  që të vazhdohet edhe për një vit ristrukturimin nëpër Qendrat e kësaj partie

Aty, Kurti tha se u vendos që ai të kthehet në bazë sepse aty nevojitet më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja.

“Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me Qendrat e Pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen”, ka shkruar Kurt në letër.

Ai më tej tha se më duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ.

“E kuptoj brengën e shumë prej jush – se a thua çka mund të ndodh me Lëvizjen pa mua si kryetar i saj. Mirëpo, unë kam besim të pamatshëm në Lëvizjen dhe në të gjithë juve. Nuk mund të ketë vështirësi që na ndalin a sulme që na zmbrapsin”, shkruan Kurti.

Ai e ka konsideruar këtë vendim si të jashtëzakonshëm dhe ka thënë se ai asnjëherë nuk ka qenë kryetar i zakonshëm.

Kurti në këtë letër ka folur ehe për zhvillimet e fundit në vend duke thënë se  Kosova kurrë nuk ka qenë më keq që prej se është shpallur pavarësia shtatë vite më parë.

Ai këtu ka përmendur emigrimin ilegal, papunësinë e korrupsionin.

Ai ka thënë se synimi lëvizjes Vetëvendosje është mbështetja e klasës së mesme dhe mbështetja e shtresës së varfër në vend.