Kryetari i 'Gjykatës' së Tenderëve në Bankën e të Akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj katër të akuzuarve Hysni Hoxha, Hysni Muhadri, Veton Fetahu dhe Arsim Robelli.

Të pandehurit akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për disa vepra penale, të cilat lidhen me përfitimet e paligjshme të krijuara ndaj një kompanie private, “Conex Group”, në një shumë mbi 1.7 milionë euro.

Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri akuzohen për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Veton Fetahu dhe Arsim Rubelli për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, Veton Fetahu edhe për veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, në cilësinë e personit zyrtar, më 20 qershor 2013 në Prishtinë, i tejkalojnë kompetencat e tyre si dhe nuk i përmbahen detyrës zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, sh.p.k Prishtinë me pronar Veton Fetahu.

Përkatësisht, Hysni Hoxha, në cilësinë e kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurimit, dhe i pandehuri Hysni Muhadri në cilësinë e ekspertit shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkt i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1,779,759,54 euro kompanisë “Conex Group” sh.p.k.

Veton Fetahu dhe Arsim Robelli, sipas aktakuzës, në periudhën kohore 1 mars 2013 e deri me 21 qershor 2013 në Prishtinë, në bashkryerje dhe me dashje kane përpiluar dhe përdorur dokumente false.

Veton Fetahu akuzohet në cilësinë e pronarit të kompanisë “Conex Group”, e Arsim Robelli në cilësinë e ofertuesit të shërbimeve kontabilitetit përmes biznesit “Es-Services” për “Conex Group” me qëllim të realizimit të përfitimeve të dobisë pasurore të kundërligjshëm për këtë të fundit.

Në këtë seancë, pasi prokuroria lexoi aktakuzën, të akuzuarit u pyetën nga gjyqtari i rastit se a e kuptojnë për çfarë akuzohen dhe si ndihen në lidhje me akuzat.

Të akuzuarit deklaruan se e kanë kuptuar akuzën me të cilën ngarkohen e sa i përket fajësisë deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë, me përjashtim të Veton Fetahut, i cili e pranoi fajësinë.

Veton Fetahu, më 10 mars 2015 kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin, dhe në këtë marrëveshje ishin dakorduar që për veprat për të cilat akuzohet, të dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 16.000 euro.

Seanca e radhës do të mbahet muajin e ardhshëm.