Kosova ka Nevojë për Konkurrencë në Tregun Energjetik

Kosova ka nevojë të krijojë konkurrencë në tregun energjetik, në mënyrë që qytetarët ta kenë mundësinë për të zgjedhë se nga kush të blejnë energjinë elektrike. Kjo është njëra ndër nevojat kryesore që i ka identifikuar raporti “Mundësitë e Kosovës për një treg të Energjisë: Rasti i Energjisë Elektrike” i publikuar nga INDEP-i.

Visar Azemi, koordinator i Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) me këtë rast tha se Kosova në kuadër të zhvillimeve të fundit për liberalizimin e tregut energjetik që po bëhen me vendet e rajonit, Kosova ka çaluar në dy aspekte: në aspektin legjislativ dhe në aspektin teknik.

”Liberalizimi i tregut të energjisë ka çaluar në dy aspekte: në aspektin legjislativ për të përmbushur kriteret që kanë dalë nga Traktati i Energjisë; mirëpo edhe nga ai teknik për të rregulluar sistemin energjetik në mënyrë që të pranojë energjinë që vjen nga prodhuesit në rajon dhe në Evropë”, tha Azemi.

Genc Ahmetaj, bashkautor i raportit, tha se duhet të krijohet konkurrencë në fushën e energjisë në Kosovë.

“Në tregun e energjisë duhet të formohet një raport i ashpër i konkurrencës në mënyrë që konsumatorët të kenë mundësi të zgjedhin se nga kush dhe si mund të blejnë energji elektrike, sepse konkurrenca do të ofronte çmime më të mira të mundshme”, tha Genc Ahmetaj.

Për më tepër, raporti shpalosë analizat e tregut të energjisë elektrike në Kosovë, kufizimet dhe progresin që është bërë në këtë fushë duke bërë krahasime me shtetet fqinje.

Sipas raportit, Kosova ka mungesë të konkurrencës për sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në të cilin treg ekziston vetë një prodhues dhe një shitës me ç’ rast është krijuar monopol.

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRrE), institucion i pavarur shtetëror që rregullon tregun e energjisë, sipas raportit nuk ka arritur të vendosë një kornizë rregullative konkurruese që të krijojë lehtësira për investitorët për sa i përket furnizimit.

Mos plotësimi i bordit me 3 anëtarë nga 5 sa duhet të jenë, ku dy prej tyre kanë pasur lidhje me ndërmarrjet energjetike në të kaluarën, sipas raportit paraqet konflikt interesi.

Liberalizimi i tregut të energjisë do t’u mundësonte konsumatorëve të zgjedhin eksportuesin e tyre, ofertat e shumta do të kishin sjellë çmime dhe furnizim më të mirë me energji elektrike.

Raporti rekomandon se duhet të bëhet shthurja e tarifave të energjisë elektrike, furnizimet me pakicë të bazohen në çmime konkurruese, të bëhet shthurja apo ndarja e plotë e KEDS-it nga KESCO, Kuvendi duhet të plotësojë numrin e anëtarëve të Bordit të ZRrE-së.