Kërcënimi Ndaj Gashit, Flasin Lumezi e Nuhiu

Gazetari dhe publicisti Astrit Gashi thotë të jetë kërcënuar nga Shefi i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu. Sipas Gashit, kërcënimi ka ardhur pas publikimit të shkrimit në Gazetën Blic, i cili përmban një dokument të Njësitit të Inteligjencës Financiare, ku i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit, Aleksandër Lumezi ka qarkullim prej qindra mijëra eurosh.

Në reagimin e tij Gashi thotë se Nuhiu përmes telefonit i është drejtuar me fjalët “A e din çfarë ke publikuar dhe cilat janë pasojat? Do t’i shohësh”, shkruan publicisti Gashi në facebook.

“Vetëm vazhdo”, iu kishte përgjigjur Gashi Shefit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.

Kurse vetë Dardan Nuhiu nga kjo Njësi tha për Kallxo.com se zbulimi i dokumenteve të tilla është vepër penale.

“Do të ballafaqohet me ligjin, nuk është kërcënim. Në bazë të nenit 42 të Kushtetutës kam të drejtë ta thërrasë  për ta korrigjuar ndonjë informacion dhe ta paralajmërojë për veprimet që i ndërmerr dikush. Gjykata do të merret me atë punë dhe do të zbulohet se si e ka marrë ai këtë dokument”, tha Dardan Nuhiu.

Pika 3 e neni 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë se “çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin”.

Por i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit, Aleksandër Lumezi, emri i të cilit është apostrofuar në shkrimin e Gazetës Blic, e sqaron situatën.

“Këto janë të ardhurat e mia të cilat kanë hy nga rroga nga viti 2000 deri në vitin 2014 deri kur kam aplikuar për procesin e parë për kryeprokuror. Është e vërtetë se unë jam i autorizuar në dy llogari bankare, njërën të nënës, e tjetrën të axhës tim”, thotë Lumezi.

Ai thotë se afatizimi dhe ri-afatizimi i parave në bankë ka krijuar keqkuptime, sepse ajo janë llogaritur si qarkullim bankar dhe jo si shumë reale e cila gjendet në llogari.

“Ato mjete janë për një kohë të gjatë në bankë dhe unë kam qasje në këto para vetëm nëse ata vdesin. Paratë nuk janë në atë shumë në të cilën janë publikuar. Në konton e nënës sime janë rreth 70 mijë euro, ndërsa në të axhës janë 40 mijë euro. Të dhënat që janë publiku janë të dhëna për qarkullimin bankar e jo për shumën e parave të cilat janë të deponuara”, shton Lumezi.

“Shifrat janë të atilla për shkak se këto para sa herë që janë afatizuar apo janë transferuar janë llogaritur si qarkullim bankar. Nëse kanë qenë 40 mijë euro në konto dhe janë afatizuar për një vjet, atëherë pas një viti është dashur të  afatizohen sërish dhe në atë moment ato regjistrohen si  qarkullim i ri bankar. Mirëpo, paratë janë të njëjtat po ato 40 mijë euro”, sqaron Lumezi.

Megjithëkëtë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  ka dalë me një reagim lidhur me këtë rast.

“AGK, dënon kërcënimin që i është bërë gazetarit Gashi, dhe njëkohësisht kërkon përgjegjësi më të lartë nga secili zyrtar kosovar”, thuhet në reagim.

AGK thotë se kërcënime të tilla si ky që ka bërë Drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, kanë qëllim direkt ngufatjen e lirisë së shprehjes dhe pengimin e kryerjes së punës nga mediet dhe gazetarët në Kosovë.

AGK-ja kërkon nga organet kompetente që të nisin procedurat ligjore e disiplinore kundër Dardan Nuhiut, sepse, kërcënimi i një gazetari, siç është Astrit Gashi, është i papranueshëm për shoqërinë tonë.