Jahjaga: Nuk do të Lejoj Pazare Politike rreth Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sot se vonimi i dekretimit të kryeprokurorit të shtetit nuk është në zyrën e saj, por po ndodh në Këshillin Prokurorial, prandaj ende nuk ka marrë vendim për dekretimin e tij.

“Shumë është folur e përfolur për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë çështje do të isha pak e rezervuar pasi që ende nuk e kam marrë një vendim, e drejtë dhe obligim i cili është nën diskrecionin tim. Zgjatja e procesit nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh në zyrën time. Lëmshi i krijuar është pasojë e një tejzgjatje për shumë muaj”, tha Presidentja në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL.

Pavarësisht zvarritjeve, presidentja tha se nuk do t’i lërë hapësirë politikës që të ndërhyjë në këtë proces. Jahjaga u shpreh se vendimin do ta marrë në bazë të kompetencave ligjore e kushtetuese.

“Propozimi është në shqyrtim të hapësirës, të cilën ma jep ligji. E koha e shqyrtimit nuk prodhon as vakum institucional, e as nuk do të jetë në funksion të asnjë pazari politik”, u shpreh presidentja.

Presidentja Jahjaga, gjatë debatit ka folur për punën e saj 4 vjeçare në krye të shtetit.

Ajo tha se në vitin 2011, ka trashëguar një zyre të politizuar që e ka paguar çmimin për përzierje në politikë ditore. Sipas presidentes sa më larg që politika të qëndrojë prej këtij sistemi aq më e mirë do të jetë për të dhe aq më shpejt do të mund të garantohet zbatimi i ligjit.

“Meqë posti i presidentit dhe kryeministrit është ndarë mes dy partive kushtimisht më të mëdha në koalicion, zyra e presidentit të Kosovës është perceptuar si manifestim institucional i partisë politike që e ka mbajtur atë. Kjo ka bërë që zyra e presidentit të jetë pjesë e politikave ditore që nuk janë pjesë e përshkruar e obligimeve kushtetuese të presidentit dhe që fatkeqësisht kanë shtrembëruar rolin e këtij institucioni”, pohoi presidentja.

Ajo tha se detyra e saj e parë ka qenë që Zyrën e Presidentit ta depolitizoj duke e hapur për qytetarin dhe të gjitha subjektet politike, të cilave qytetarët e Kosovës ua kanë besuar votën.