Jabllanoviq: Opozita Shkoi Shumë Larg me Veprime

Pas takimit të Presidentes Jahjaga me përfaqësues të Listës Serbe, u deklarua për medie Aleksandar Jabllanoviq.

Jabllanoviq tha se opozita tejkaloi çdo kufi me veprimet e saj të fundit.

“Mendojmë që veprimi i fundit në vargun e veprimeve të opozitës shkoi shumë larg dhe opozita duhet të mendojë pak edhe për atë se çfarë metoda po përdor dhe të llogarisë se sa gjatë këto metoda do të lënë pasoja në një bashkëpunim të mundshëm në periudhën e ardhshme,” tha Jabllanoviq.

Ai sqaroi se Lista Serbe nuk është kundër asaj që mendon opozita, por kundërshton metodat e përdorura për realizimin e qëllimit të saj.

“Duke përkrahur plotësisht opozitën për shprehjen e mendimeve të saj, ne nuk pajtohemi me metodat e përdoruara që opozita shfrytëzon për shfaqjen e këtyre mendimeve,” deklaroi Jabllanoviq.

Ai tha se Presidentja duhet të përzihet në zgjidhjen e  krizës, por shumica parlamentare ekziston.

“Mendoj që shumica është e qartë në parlament. Pamëdyshje shumica prej dy të tretave ekziston. Kryetarja gjithsesi është ajo që duhet të përzihet në zgjidhjen e kësaj krize dhe ajo këtë po e bën në mënyrën si përshkruhet në kushtetutë dhe ligj,” tha Jabllanoviq.

Në takim me Jahjagën përveç Aleksandar Jabllanoviqit ishin edhe deputetët e kësaj liste Slavko Simiq dhe Bojan Mitiq.

Jahjaga është takuar sot edhe me liderët opozitarë.