Isa Mustafa: Opozita Kërkon Zgjedhje me Lotsjellës Nëpër Vendvotime

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot në mëngjes nën prezencë të shtuar të policisë jashtë ndërtesës qeveritare për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Duke iu referuar ngjarjeve të djeshme brenda Kuvendit të cilat ishin përsëritje të atyre të një jave më parë. Kryeministri Isa Mustafa, u shpreh para anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar se partitë opozitare “po veprojnë për një plan të orkestruar” i cili, sipas tij, synon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Por këto zgjedhje, në opinionin e Mustafës, janë të planifikuara nga opozita ndryshe nga të tjerat.

“Ata kërkojnë zgjedhje duke menduar se do të ketë zgjedhje me gaz lotsjellës nëpër vendvotime”, u shpreh Isa Mustafa.

Sipas Mustafës, partitë opozitare nuk kanë ofruar asnjë alternative se si të integrohet veriu i vendit.

“Jam I bindur që veprimet e kohëve të fundit nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës. Këto veprime e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe bien ndesh  me ligjin, kodin etik dhe traditën tonë”, tha Mustafa duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë që t’i zbardhin këto raste.