Instruktori i Dyshuar për Rrahjen e Koleges del Para Gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Pejë u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Mentor Haskaj, instruktor i patentë- shoferëve në Pejë.

Haskaj akuzohet se ka kryer për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor ndaj koleges së tij, Emira Destanoviq.

Prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari , tha se Haskaj e kishte sulmuar fizikisht kolegen e tij gjatë orarit të punës në vitin 2012.

Por i pandehuri Haskaj u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën ngarkohet.

Në seancën e së mërkurës në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe e dëmtuara e këtij rasti Emira Destanoviq.

Ajo deklaroi para gjykatës së marrëdhëniet kolegiale ndërmjet saj dhe Mentor Haskajt edhe ashtu ishin të tensionuara, por ato kishin arritur pikën kritike kur kolegu i saj e kishte kërcënuar pasi një kandidate nuk e kishte kaluar testin për patentë- shofer.

Destanoviq më tutje u shpreh së kishte dërguar kërkesë në arkiven e Instruktorëve Rajonalë lidhur me kërcënimet e kolegut të saj të punës.

“Unë për kërcënimet që kam marrë, kam bërë ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës përmes arkivës së Instruktorëve, mirëpo në vend që kërkesa t’i përcillej kësaj  ministrie,  koordinatori Ahmet Shala ka thirrur mbledhjen rajonale të Instruktorëve për diskutim në lidhje pakënaqësitë e mia. Në atë mbledhje Mentor Haskaj  filloi të më përqeshte dhe ofendonte rëndë”, tha ajo.

Emira Destanoviq deklaroi që pas një fjalosje me Mentor Haskaj, ky i fundit e kishte sulmuar edhe fizikisht dhe deri në atë masë sa ajo kishte mbetur pa ndjenja.

Avokati i palës së akuzuar, Muharrem Hoti, tha për KALLXO.com se ka prova të mjaftueshme të cilat hedhin poshtë pretendimet e palës së dëmtuar.

Ndërsa, prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari, u shpreh se si bazë për ngritje të aktakuzës janë raportet mjekësore, incizimet e palës së dëmtuar si dhe dëshmitarët.

Seanca u ndërpre për shkak të angazhimeve që kishte avokati i Emira Destanoviqit ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 7 maj kur pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë.