Inspektohen Punësimet në AKI në Kohën e Bashkim Smakajt

Kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shkëlzen Sopjani, sot ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Gjatë raportimit me dyer të mbyllura i cili ka zgjatur rreth një orë, raportohet se ai si sfidë e ka paraqitur auditimin e personelit që janë të punësuar në AKI.

Secili i punësuar në AKI që nga themelimi i saj e deri më tani, do të kalojë nën llupën e Kryeinspektorit të kësaj Agjencie, Shkelzen Sopjani.

E tëra kjo, sipas kryetarit të  Komisionit Parlamentar Haxhi Shala, po bëhet në mënyrë që “të hiqen dilemat dhe raportimet” se gjatë kohës së ish drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ka pasur të punësuar në mënyrë të parregullt në këtë agjension të sigurisë.

Raporti nga ky auditim pritet të kryhet brenda gjashtë muajsh.

“Inspektori do ta bëjë auditimin e personelit, i cili brenda gjashtë mujorit të parë do na sjellë një raportet detajuar me të gjitha sektorët. Sfidat me të cilat ballafaqohet Inspektori i Përgjithshëm është me auditimin e personelit, si për personelin brenda AKI-së ashtu është detyrë e tij që të hetojë personelin në të gjitha sektorët”, tha Haxhi Shala.

Sipas tij, kjo vjen si pasojë e dilemave që Smakaj ka punësuar të afërm në Polici dhe në sektorët e tjerë që mund të lidhen me të.

Përveç kësaj, kryeinspektori ka raportuar edhe për gjendjen se si e ka gjetur Agjencisë pas marrjes së pozitës e që, sipas Haxhi Shalës, gjendja nuk ka qenë edhe aq e mirë.

“Gjendja nuk ka qenë e mirë, por Inspektori ka filluar punën dhe rishikimin e disa rregullave brenda ligjit”, tha Shala.

Kryetari i Komisionit ka përsëritur se ende nuk ka detaje rreth arsyeve që çuan në dorëheqjen e ish shefit të AKI-së, Smakaj. Ai tha se në lidhje me këtë i ka bërë pyetje parlamentare kryeministrit Isa Mustafa por që nuk ka marrë përgjigje.