Evakuohen Kosovarët nga Zonat e Luftimeve në Jemen

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se shtatë shtetas të Kosovës që ishin me banim në Jemen janë kthyer dje në Kosovë pas shpërthimit të luftës dhe rrezikshmërisë së lartë për jetë në Jemen.

Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka bërë të ditur se “pas shumë përpjekjeve, shteti i Xhibutit shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar në evakuimin e shtetasve tanë bashkë me shtetasit e tyre nga Jemeni dhe operacioni për evakuimin e tyre u përmbyll me sukses. Gjendja në Jemen po përkeqësohej gjithnjë e më shumë dhe pritej edhe ndërhyrja me trupa tokësorë të aleancës së dhjetë shteteve”.

Të kthyeritu pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga sekretari i përgjithshëm në MPJ, Kreshnik Gashi.

Ai tha se me të marrë lajmin se shtetasit kosovarë me vendbanim të përkohshëm në Jemen ishin në rrezik, MPJ ka filluar me procesin e evakuimit, në bashkëpunim me ambasadën e Kosovës në Riad.

Ai shtoi se nga ky proces janë evakuuar dhe janë kthyer në vendlindje shtatë shtetas kosovarë. Gashi ka thënë se ky proces ka qenë mjaft i ndërlikuar sepse konflikti ka qenë i ashpër dhe se disa tentativa të mëhershme kishin dështuar.

Autoritetet e Kosovës bashkë me autoritetet turke dhe pakistaneze, që gjithashtu kishin qytetarë të tyre në zonën e luftës, patën organizuar disa herë operacione për evakuimin e shtetasve kosovarë dhe turq, por për arsye të rrezikshmërisë së lartë të udhëtimit ajror ishin detyruar që t’i anulojnë ato deri më tash, thuhet në komunikatën e MPJ-së.