EULEX: Lushtaku ka Leje për Vizitë në QKUK

Maj 29, 2014 – Drejtori i Kardiologjisë dhe Angjiologjisë, prof. dr. Bedri Zahiti, vendit ku është trajtuar i akuzuari për krime lufte nga “Grupi i Drenicës” Sami Lushtaku, mohoi se kryetarii Skenderajt është kthyer për trajtim në QKUK. Të njëjtën gjë e tha edhe koordinatori i mbrojtjes së Lushtakut Rrustem Rukolli, ndërsa Shemsi Hajrizi, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës tha se aktualisht Lushatku ndodhet në burgun e Dubravës.

Zyra për Informim e EULEX-it nuk saktësoi për Gazetën Jeta në Kosovë nëse Sami Lushtaku ka vizituar QKUK-në, nga koha kur u largua nga atje drejt burgut të Dubravës. 

Por zyra tregoi se Lushtaku kishte leje për vizitë të sërishme në ambientet mjekësore. 

“Gjykatësi më ka thenë se i ka dhënë leje Lushtakut për ta vizituar QKUK-në”, thane në Zyrën për Informim të EULEX-it, duke sugjeruar kontaktin me policinë. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, tha për Gazetën jeta në Kosovë se nuk është kompetence e institucionit ku punon të tregojë për lëvizjet e Lushtakut. 

Gazeta “Koha Ditore” shkroi se të mërkurën forca të mëdha policore u panë në klinikën ku deri para një jave ishte i shtrirë Lushtaku.

Prof. dr. Bedri Zahiti, drejtor i Kardiologjisë dhe Angjiologjisë  i tha Gazetës Jeta në Kosovë të enjten se Sami Lushtaku nuk është duke u trajtuar në klinikën e tij, pas raportimeve mediale se të mërkurën sërish Lushtakku për probleme shëndetësore është kthyer në QKUK. 

Por Zahiti nuk e mohoi se Lushtaku mund të kthehet përsëri në këtë klinikë. 

“Ai(Samiu)është nën terapi dhe ai mund të vie në trajtim sa herë që e shohin të nevojshme mjekët e shërbimit ku është duke qëndruar”, tha profesor Zahiti. 

Edhe koordinatori i mbrojtjes së Lushtakut Rrustem Rukolli tha se kryetari i Skenderajt “që nga dalja nga QKUK-ja nuk ka qëndruar më në këtë institucion”. 

Rukolli shtoi se kanë kërkuar që Lushtaku sa here të ketë nevojë të trajtohet në QKUK. 

“Ne si mbrojtje kemi kërkuar nga gjykata që Samiu herë pas here të trajtohet në QKUK, me që në burgun e Dubravës nuk ofrohen shërbime të tilla” tha Rukolli për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Moslëvizjen e Lushtakut nga burgu e konfirmoi edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës Shemsi Hajrizi. 

“Sami Lushtaku momntalisht ndodhet në burgun e Dubravës”, tha Hajrizi. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar përgjigje edhe nga EULEX-i për këtë çështje, por misioni evropian ende nuk është përgjigjur. 

Para një jave Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha refuzuan të shkojnë në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën Veriore, derisa ishin duke u trajtuar në QKUK. 

Klinika ku ata po trajtoheshin u mbajt e bllokuar nga familjarë të të akuzuarve për krime lufte, ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti një protestë. 

Më pas gjykata vendosi që tre të akuzuarit e trajtuar në QKUK të dërgohen në burgun e Dubravës.