Enver Hasani dhe Arbër Vllahiu Takohen te Parku i Qytetit

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga ky takim, i mbajtur pas orës 11:00, në të cilin Hasani shihet i veshur në rroba sportive, përderisa Vllahiu duket më zyrtar.

Edhe Gjykata Kushtetuese, edhe Arbër Vllahiu kanë thënë se ky ka qenë një takim miqësor dhe joformal, ndërkohë që kanë përjashtuar mundësinë që të kenë biseduar rreth çështjes së koalicionit qeveritar, temë në të cilën mund të kërkohet interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Ky ka qenë një takim tërësisht joformal dhe i rastit, që është zhvilluar në parkun e qytetit, të cilin kryetari Hasani e frekuenton mjaft shpesh dhe që ndodhet në afërsi të banesës së tij”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Informim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Takimi i tyre erdhi vetëm një ditë pasi Enver Hasani kishte dhënë një intervistë televizive në KTV në të cilën kishte folur rreth zhvillimeve të fundit pas marrëveshjes LDK-AAK-NISMA për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Ky takim, asesi nuk mund të interpretohet nga këndvështrimi i spekulimeve mediale rreth interpretimit kushtetues të koalicionit qeveritar, posaçërisht duke pasur parasysh faktin se, një çështje e tillë ende nuk është ngritur në Gjykatën Kushtetuese, si dhe miqësinë reciproke të kryetarit Hasani dhe të z. Vllahiu, që daton qysh nga vitet e ’90”, ka thënë Gjykata Kushtetuese.

Koment të njëjtë për këtë takim ka dhënë edhe Arbër Vllahiu.

Unë kam miq dhe shokë nga një spektër i gjerë në shoqërinë e Kosovës dhe takohem me ta pavarësisht nga pozita dhe posti që mbajnë. Zotëri Enver Hasanin e kam mik që prej para emërimit në krye të Gjykatës Kushtetuese dhe takohem me të kudo dhe kurdo. Takimi i sotëm nuk ka në asnjë mënyrë ndërlidhje me çështjen që po ngrisni. Unë takohem çdo ditë edhe me miqtë e mi gazetarë, politikanë dhe njerëz të kulturës dhe artit”, tha Vllahiu.