Ekspertja: Triumf Riza Ishte i Dehur në Momentin e Vdekjes

Safete Gashi-Naka toksikologe dhe Arsim Gërxhaliu mjek ligjor ishin dëshmitarët e radhës në gjykimin e  Enver Sekiraqës.

Këta dëshmitarë u thirrën për të dhënë ekspertizën e tyre lidhur me një parashtesë që ka propozuar mbrojtja e Sekiraqës, sipas së cilës kishte alkool në gjakun e të ndjerit Riza.

Ekspertja Gashi – Naka tha se sipas raportit të toksikologjisë në momentin e autopsisë Riza kishte në trup një sasi prej 0.56 miligramë alkool.

Gashi-Naka tregoi se të vrarit në vitin 2007 autopsia i është bërë 22 orë pas vdekjes, ndërsa sipas saj sasia e alkoolit në trupin e Rizës në momentin e vrasjes mund të ketë qenë shumë më e madhe.

Ekspertja këtë konstatim e arsyetoi me faktin se trupi i njeriu arrin ta zvogëlojë alkoolin në gjak për sasinë 0.1 miligramë për çdo orë të kaluar.

Ajo llogariti sasinë e alkoolit që Riza mund të ketë pasur kur u qëllua.

“Rezultati i llogaritjes është 2/66 promile të alkoolit dhe kjo konsiderohet si një dehje e rëndë,” tha ekspertja.

Gjyqtari e pyeti edhe njëherë eksperten për rezultatin dhe ajo përsëri konfirmoi llogaritjen e saj.

“Nuk po pretendoj por ashtu u llogarit dhe u gjet, ju vetë më kërkuat që të bëhet llogaritja, por nuk e di se sa mund të jetë kjo llogaritje e sigurt, sepse kjo përsëri po them varet prej individit,” tha Gashi-Naka.

Avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi e pyeti dëshmitaren se a mund të shkaktojë kjo sasi e alkoolit sjellje agresive dhe dëshmitarja u përgjigj shkurt “po”.

Me po ekspertja u përgjigj edhe në pyetjen e prokurorit Andrew Carney se a mund të shkaktojë ajo sasi e alkoolit sjellje tjetër pos agresives.

Seanca e radhës do të mbahet me 17 nëntor.