Ja pse u kërkua mbyllja për publikun e seancës ndaj Enver Sekiraqës (VIDEO)

Në gjykimin e Enver Sekiraqës, në cilësinë e dëshmitarit është ftuar të deklarojë Faton Shoshi, për rastin e vrasjes së Triumf Rizës. Shoshi, ka kërkuar nga gjykata që t’i ipet mundësia të deklarohet pa praninë e publikut për shkak se siç ka thënë ai ‘ndjeshmërisë së rastit’.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe personave që përmenden në rast, të cilët nuk po du me i dëmtu, kërkoj që seanca të jetë e mbyllur”, tha dëshmitari Faton Shoshi.

Trupi gjykues, pas marrjes së mendimit të prokurorit dhe avokates mbrojtëse, aprovoi kërkesën e dëshmitarit, duke marrë vendim që seanca të vazhdojë pa prezencën e publikut.

“Me kërkesë të dëshmitarit, pas dëgjimit të prokurorit dhe avokates, trupi gjykues merr aktvendim me të cilin përjashtohet publiku në këtë pjesë të gjykimit”, tha gjyqtari Agim Kuçi.

Faton Shoshi edhe në gjykimet e mëparshme ka dëshmuar në shqyrtim të mbyllur gjyqësor.

Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për të vrarë ish policin Triumf Riza, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Në muajin maj të vitit 2016, Gjykata e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën, ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.