Dëshmon Personi nga i Cili Policët e Akuzuar Kërkuan 300 Euro

Në gjykimin kundër ish-policit Veton Gashi dëshmoi Flamur Haziraj nga i cili Gashi dhe kolegu i tij kërkuan para për të mos e dënuar.

Dëshmitari Flamur Haziri që është edhe palë e dëmtuar në këtë proces, tregoi se para 3 vjetësh një patrullë e policisë e kishte ndaluar pasi voziste shumë shpejt dhe kishte në makinë 2 gramë marijuanë.

Ai tha se policët atëherë ia kërkuan 300 euro për të mos e dënuar.

“Unë nuk i kam pasur paratë me u dhanë dhe kam kërkuar nga daja jem që të mi huazojë disa para, ku i njëjti mi ka huazuar 100 euro dhe pasi i kam treguar se për çka më nevojiten i ka thirrur gazetarët,“ tha dëshmitari Haziri.

Ai deklaroi se sa i kujtohej gazetarët ishin të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Në shtator të vitit 2012 emisioni “Drejtësia në Kosovë” shfaqi hulumtimin për kërkimin e ryshfetit nga dy policët e kësaj patrulle dhe nga ky hulumtim u ngrit aktakuza ndaj Veton Gashit dhe Hidajet Krasniqit.

Procedura ndaj Hidajet Krasniqit pastaj u veçua, ngase ai shpesh nuk merrte pjesë nëpër seanca dhe aktualisht ndodhet në arrati.

“Më datën 18 qershor 2012 në fshatin Sllatinë Komuna e Fushë-Kosovës, policët e komunikacionit që ishin në patrullë, Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi, në emër të ryshfetit i kanë kërkuar të dëmtuarit Flamur Haziri 300 euro që të mos i shqiptonin gjobën në komunikacion, pas një gabimi të të dëmtuarit”, thuhet në aktakuzë.

Dëshmitari dhe i dëmtuari Haziri tha se nuk ua dërgoi të gjitha paratë e kërkuara policëve.

“Unë 135 euro u kam dërguar policëve te mbikalimi ne Fushë-Kosovë dhe njëri nga policët me ka thanë se pse nuk i ke pru shumën për te cilën jemi marrë vesh,“ tha dëshmitari.

Ai u ankua se policët atëherë nuk ia kishin kthyer të gjitha dokumentet që ia kishin marrë, ndërsa tregoi se disa prej tyre është dashur t’i nxjerrë përsëri në Danimarkë, ku jeton.

Por dëshmitari mohoi se i akuzuari Veton Gashi ia kërkoi paratë dhe dokumentet.

“Paratë dhe dokumentet mi ka kërkuar polici që ka qenë më i shkurtë me shtat, e jo ky që është këtu, mirëpo edhe ky ka qenë prezent kur unë ia kam dhanë paratë“ tha dëshmitari.

Seanca e radhës kundër Veton Gashit është caktuar më 9 nëntor.