Dëshmitares të Shtënat i Ishin Dukur si Fishekzjarre

Në gjykimin kundër katër personave të akuzuar për vrasje, pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, dëshmitarja Arbresha Kastrati, punëtore e lokalit pranë të cilit u vra Fitim Gashi, deklaroi se ka dëgjuar të shtëna, por ka menduar se ato janë fishekzjarre.

Fitim Gashi qe vrarë në Prishtinë më 29 nëntor 2010, ndërsa për vrasjen e tij dhe armëmbajtje pa leje, në këtë proces gjyqësor akuzohet Përparim Rexhepi.

Bashkë me Rexhepin për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje ngarkohen Avdi, Agron e Fejzullah Gashi që ishin bashkëfshatarë të viktimës.

Të mërkurën dëshminë për këtë ngjarje e përfundoi Igballe Bellagoshi , pasi iu përgjigj pyetjeve të të akuzuarit përparim Rexhepi dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Po në këtë ditë dëshmoi Arbresha Kastrati, punëtore në lokalin e të akuzuarit Rexhepi, para të cilit u vra Fitim Gashi.

Kastrati tha se e keqja kishte nisur kur në këtë lokal kishin hyrë katër ose pesë persona.

“Në atë natë kemi qenë unë, Përparimi dhe Igballi [Bellagoshi] në lokal. Më pas kanë ardhë  4 apo 5 persona.  Ata persona kanëporositë birra, unë ua kam dërguar dhe kam shkuar në shank”, shpjegoi Kastrati.

Ajo tregoi se pa kurrfarë fjalosjeje këta persona kanë filluar ta gjuajnë me shishe pronarin tash të akuzuar, ndërsa shtoi se një shishe e hedhur nga këta mysafirë e ka goditur në krah, duke  e detyruar të ulej nën banak.

Kastrati përmendi edhe se ka dëgjuar të shtëna.

“Kam dëgjuar disa krisma që vinin jashtë lokalit dhe kam menduar se janë fishekzjarre se ka qenë një lojë futbolli”, tha ajo.

Megjithatë zënka e pronarit me mysafirët dhe të shtënat e kishin detyruar ta lëshojë lokalin. Ajo përshkruajti se çfarë ka parë kur u largua nga vendi i punës.

“Pas një kohe unë e mora çantën time dhe dola jashtë me Igballin. Jashtë kam pa një person të shtrirë në tokë diku 3-4 metra nga dera e lokalit. E kam pa Përparimin ai ka qenë i përgjakur, unë i kam thanë Përparimit se e pashë një njeri  tështrirë në tokë, ai më tha mos ke frikë”, dëshmoi Kastrati.

Dëshmitarja foli edhe për orarin e saj të punës në këtë lokal.

“Unë jam punësuar te Përparimi dhe  jam paguar 15 euro në ditë orari im  ka fillu prej orës 14-15 deri në orën 22-23 në mbrëmje”, tha ajo.

Seanca e radhës është paraparë të mbahet më 24 tetor, ndërsa pritet dëshmia e dy dëshmitarëve.