Deputetët Përplasen për Ndryshimin e Buxhetit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar të enjten për rishikimin e buxhetit për vitin 2015. Përfaqësuesit e qeverisë kanë kërkuar të miratohet ky rishikim ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se për shkak të rishikimit të të hyrave dhe programeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar është dashur që të bëhen kursim prej 49 milion euro nga buxheti i Kosovës.

“ Pavarësisht këtyre kursimeve ne do të jemi në gjendje që të vazhdojmë të paguajmë deri në fund të vitit pa asnjë pengesë për pagat për përvojën e punës për të gjithë ata që marrin pagat nga sektori publik, për subvencionet për kategori të veçanta sociale dhe shoqëror, për furnizim të rregullt me barna si dhe material shpenzues për arsim, për siguri, për drejtësi dhe për institucione tjera”, tha ministri Hoti.

Kreu i ministrisë së Financave tha se të hyrat e përgjithshme buxhetore do të jenë 1 miliard e 535 milion euro.

“Ky parashikim është për 52 milion euro më i ulët sesa parashikimi i buxhetit fillestar por është më i lartë krahasuar me realizimin e vitit 2014 për 14%”, theksoi Hoti.

Hoti tregoi se të hyrat nga dogana do të arrijnë në 946 milion euro që është rritje 90% krahasuar me realizimin e vitit 2014.

“Kemi paraparë edhe të hyra shtesë që nuk kanë qenë të parapara në buxhetin fillestar të buxhetit 2015. Ndërsa sa i përket shpenzimeve ato planifikohen të jen 1 miliard 644 milion euro, prej të cilave 33% janë për paga dhe mëditje, 13% për marrje dhe shërbime, 26% për subvencione dhe transfere dhe 28% për investime kapitale”, shpjegoi ministri.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Naser Osmani, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa tha se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e Kosovës është përgatitur duke u mbështetur në informata për gjashtëmujorin e parë në ekzekutim të buxhetit.

“Të hyrat buxhetore është parë se kanë qenë të mbivlerësuar në buxhetin fillestar, si dhe si rezultat në rishikim, janë propozuar kursimet në shumë prej 48.6 milionë euro. Në këto kursime 25 milionë janë nga pagat dhe mëditjet, 10 milionë e 600 mijë janë nga mallrat dhe shërbimet dhe 12 milionë janë në subvencione dhe trasnfere. Kryesisht shkurtimet janë bërë në shpenzimet operative”, tha Osmani.

Rishikimin e këtij buxheti e kundërshtuan partitë opozitare. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se premtimet për punësim, arsim dhe bujqësi nuk janë futur në rishikim të buxhetit.

“Gjithë ato premtime në fushatën parazgjedhore të vitit 2014, për 120 mijë vende të reja punë, për zhvillim të bujqësisë e të prodhimtarisë, të arsimit dhe shëndetësisë nuk i gjejmë askund në këtë buxhet, i cili vetëm se quhet i rishikuar por shumë më tepër i kopjuar”, deklaroi Kurti.

E deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se me trendin e arritjes së vendeve në zhvillim Kosova është shumë larg.

“Në këtë trend të zhvillimit dhe të financave publike dhe të qeverisjes së vendit jo për 70 vite por as sot 700 vjet Kosova nuk do të ketë trend të arritjes së vendeve në zhvillim dhe lëre më të vendeve të zhvilluara”, tha Kadaj- Bujupi, e cila pohoi se AAK nuk do ta votojë rishikimin e buxhetit për vitin 2015.