Blloqet Politike Komentojnë Vendimin e Kushtetueses

Dy blloqet politike në Kosovë, PDK në njërën anë dhe koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-NISMA, në anën tjetër, kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në bazë të kërkesës së Presidentes për ta qartësuar se kujt i takon mandatimi për formimin e qeverisë së re të vendit.

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, i propozuar nga PDK për një mandat tjetër në këtë post, ka thënë se e respekton plotësisht këtë vendim.

“Sapo mora Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës që e përcakton fituesin e zgjedhjeve dhe të drejtën e mandatarit për formimin e institucioneve të reja, sipas Nenit 95, paragrafi 4 të Kushtetutës si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme që përcakton qartë mënyrën dhe afatet e krijimit të koalicioneve. E respektoj këtë vendim plotësisht”, tha Thaçi përmes një postimi në Facebook.

Edhe koalicioni LDK-AAK-NISMA ka përshëndetur këtë vendim.

“Pavarësisht bindjes sonë, se vetëm mandatari i shumicës parlamentare, pra të koalicionit LDK-AAK-NISMA, do të duhej të mandatohej, ne e pranojmë vendimin e gjykatës kushtetuese si institucion i vetëm me të drejtë interpretimi të Kushtetutës”, thuhet në një deklaratë të këtij koalicioni.

“Ne besojmë në një Kosovë ku vendimet e drejtësisë janë vendime të pasfiduara dhe në përputhje me këtë do të respektojmë të gjitha procedurat e parapara në këtë proces”, thuhet në deklaratë.

Koalicioni LDK-AAK-NISMA e konsideron veten si “koalicion i shumicës” në parlamentin e Kosovës, andaj pret që të fillojë procedurat për krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Ky koalicion, i lidhur dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, edhe një herë ka konfirmuar se, as si koalicion e as si parti politike ndarazi e as si deputetë individualë, nuk do t’i përgjigjen ftesës së “mandatarit të pakicës në konsultimet e tij të parapara për krijimin e institucioneve të reja”.

 

“Përkundrazi, ne ftojmë mandatarin e pakicës që me qëllim të evitimit të vakuumit institucional të kthejë menjëherë mandatin te Presidentja Jahjaga. Konsiderojmë se një veprim i tillë do të ishte shprehje e maturisë politike dhe do të ishte në interes të të gjithëve në Kosovë”, thuhet në deklaratë.