Avokati Kërkon Pushimin e Procedurës Ndaj Djalit të Kryeministrit

Avokati Besnik Berisha kërkoi që procedura gjyqësore ndaj Besnik Mustafës të pushojë për shkak të vjetërsimit të veprës penale.

Besnik Mustafa, djali i kryeministrit Isa Mustafa akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare lidhur me veprën penale të keqpërdorimit.

Bashkë me Besnik Mustafën për të njëjtën vepër penale ngarkohen edhe Selajdin Ujkani dhe Shefqet Krasniqi, ish punëtorë të bankës BPB si dhe dy zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Ismail Berisha dhe Nexhat Bala.

Pjesë e këtij procesi janë edhe biznesmenët Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi, por prokurori Ali Rexha, gjatë seancës së sotme njoftoi trupin gjykues se disa nga veprat penale ndaj këtyre të dyve janë vjetërsuar.

Procedura para gjykatës për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe dhënies së ryshfetit  për të akuzuarin Sibush Hazirin dhe vepra penale e falsifikimit të dokumenteve zyrtare për Hamzi Rrahimin, pushoi si rezultat i parashkrimit absolut të këtyre veprave.

Haziri dhe Rrahimi përpos këtyre veprave akuzohen edhe për mashtrim.

Njoftimi për parashkrim të disa veprave penale në këtë proces, shtyri avokatin Besnik Berisha që të kërkojë pushimin e procedurës edhe për të mbrojturin e tij Besnik Mustafën.

“[Procedurën] ndaj Besnik Mustafës përkundër që sot po e pushon ligji, nuk po e pushon Prokurori, tërësisht në kundërshtim me atë që është shkruar në aktakuzë ku në mënyrë shprehimore është përcaktuar se Besnik Mustafa si vepër bazë me të cilën e ngarkon prokuroria kishte falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Në kundërshtim me nenin 348 të Kodit Penal në Fuqi deri më 1 janar 2013, me të cilin ishte paraparë dënimi nga tre muaj deri në tre vjet,” tha avokati Berisha.

Berisha tha se klienti i tij po gjykohet edhe pas vjetërsimit të veprës për të cilën akuzohet, edhe pse tha se nuk e ka problem ta dëshmojë pafajësinë e Besnik Mustafës.

Por trupi gjykues pas konsultimit vendosi që të vazhdojë gjykimin për falsifikim që lidhet me shpërdorim detyre, ndërsa për pretendimet e avokatit Berisha të vendosë në fund të shqyrtimit.

“Sa i përket veprave penale në pikat tjera të aktakuzës ku veprat penale të falsifikimit janë të ndërlidhura me veprën penale të keqpërdorimit të autorizimit  të pozitës apo autorizimit zyrtar trupi gjykues vendosi të procedojë më tutje dhe për këtë vendos në fund të shqyrtimit gjyqësor,” tha Kongjeli.

Gjykimi kundër këtyre shtatë personave lidhet me rreth 1 mijë e 600 udhëtarë që kishin mbetur në Aeroportin e Prishtinës në vitin 2009, pasi atyre nuk u kishte ardhur aeroplani për t’ui dërguar drejt Gjermanisë.

Ky proces zhvillohej në Ferizaj, ndërsa u zhvendos në Kaçanik për hapësirë më të madhe të sallës së gjykimit.

Dy anëtarë të trupit gjykues që ishin pjesë e këtij procesi u ndërruan, pasi nga të dhënat e të akuzuarve e kuptuan se kishin qëndruar në hotelin e njërit nga të akuzuarit gjatë një ekskursioni që punonjës të Gjykatës Themelore në Ferizaj kishin zhvilluar në Shqipëri.