Asamblistët e Mitrovicës Me Deklaratë të Përbashkët Për Protestën

Tetë ditë pas protestës kundër të ashtuquajturit “Park të Paqes” të vendosur mbi urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, asamblistët komunalë dolën me një deklaratë të përbashkët ku dënojnë dhunën e së dielës që shkoi dhe rivendosjen e barrikadës.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ku u diskutua për protestën e së dielës së kaluar te ura e Ibrit, asamblisti i PDK-së Lulzim Zeqiri, i bëri thirrje kryetarit Bahtiri që të jetë më i matur gjatë deklaratave publike.

“Dua t’i bëj thirrje kryetarit Bahtiri që është shumë më rëndësi  që deklaratat e tij të jenë shumë të matura, Mitrovica është një vend them gjysmë i tensionuar, ku sidomos në pjesën veriore  fshihet gjithçka, duke filluar nga strukturat e drejtëpërdrejta të shtetit të Serbisë, kontrabanda dhe krimi i organizuar”, tha Zeqiri në seancë.

Kryetari Agim Bahtiri arsyetoi deklaratat e tij para protestës që u bë e dhunshme, me faktin se vendosja e barrikadës së dytë me saksi betoni e dhe, disa orë pas u hoq e para, ishte ngjarje e papritur.

“Pikërisht zalli u hoq dhe filloi procesi i dytë, procesi i dytë ishte i papritur, i paparalajmëruar dhe sigurisht se asnjë njeri nuk u ndi mire, e sidomos kryetari”, theksoi Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, një ditë para se të zhvillohej protesta, foli për durimin e sosur.

“Durimit i ka ardhur fundi. Kjo barrikadë duhet të hiqet deri sonte. Nëse jo, atëherë do ta shihni”, tha Bahtiri.

Serbë nga veriu më 18 qershor të drejtuar nga kryetari Rakiq vendosën vazo të betonta me bredha dekorativë, në vendin ku për tre vjet qëndroi barrikada e betonuar, pas vënies nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 nga Policia e Kosovës më 25 korrik 2011.

Gjatë protestës një grup personash qëlluan me gurë policinë, duke u munduar t’i afrohen urës për ta larguar barrikadën e re që vendosësit e saj e quajnë “park të paqes”. Këta persona rrahën më 22 qershor edhe gazetarët, mes tyre edhe atë të KALLXO.com-it.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti i ka thenë të hënën KALLXO.com-it se deri tash janë arrestuar 18 persona për protestën e dhunshme të para tetë ditëve në Mitrovicë.

Mbledhja e sotme e kuvendit të “qytetit të minatorëve” shënoi kthimin e asamblistëve të PDK-së në seancat komunale.

PDK-ja që ka 15 asamblistë në Asamblenë e Mitrovicës bojkotoi tri seanca, e pakënaqur me fjalët që për individë të kësaj partie përdor kryetari Bahtiri dhe për faktin se kuvendi nuk e mbajti më herët seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.

Kryesusi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Bislim Imeri, tregoi arsyet pse kjo seancë nuk ka mundur të mbahet më herët.

“Protesta është mbajtur të dielën më datën 22, seanca e rregullt e kuvendit ka qenë e ftuar 7 ditë më herët për datën 23 dhe jo seancë të jashtëzakonshme, po edhe seancë emergjente më pas kërku s’ka mundur të mbahet më shpejt”, tha Imeri, duke shtuar se seanca është vonuar, pasi kuvendi ka pritur kthimin e PDK-së në të.

Bislim Imeri është anëtar i LDK-së, ndërsa partia e tij është në koalicion qeveritar në Mitrovicë me AKR-në, AAK-në dhe partitë e komuniteteve. Subjektet e koalicionit kanë 16 asamblistë, po aq sa PDK-ja me Partinë e Drejtësisë. Tre asamblistë të tjerë janë të “Vetëvendosjes”.

Në seancën e jashtëzakonshme foli edhe Faruk Mujka që drejton VV-në e MItrovicës.

Faruk Mujka nga VV-ja,  theksoi së protestusit kishin mision tjetër.

“Lëvizja Vetëvendosje-Qendra në Mitrovicë, shpreh indinjatën më rrjedhën e protestës së 22 qershorit tek ura e ibrit, e cila ishte e paralajmëruar të jetë e qetë, por e cila u përshkallëzua dhe degjenoroi ne vandalizëm nga disa individë,  të cilët kishin një mision tjetër, e jo  protestë ndaj barrikadës”, theksoi Mujka.

Megjithë mospajtimet, asamblistët mbërritën ta votojnë një deklaratë të përbashkët për zhvilimet e të dielës së 22 qershorit në Mitrovicë.

“Dënojmë ashpër dhunën e ushtruar dhe vënien e barrikadës mbi urën e lumit Ibër, bllokimin e rrugëve, sulmin ndaj policisë së Kosovës, kerkojmë nga organet të arrestojnë kryesit dhe shkaktarët e dhunës të ditës së diel”, thuhet në deklaratë.

Ajo vazhdon me apel për qetësi.

 

“Apelojmë te përgjegjësit për rend dhe qetësi në Kosovë, për rend dhe siguri, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të të gjitha komuniteteve të veriut të Kosovës”, përfundon deklarata.