Arrestohet Shefja e Zyrës për Regjistrim Civil në Veri të Mitrovicës

Policia Rajonale e  Mitrovicës e ka arrestuar sot Sllavica Generalloviq – shefe e zyrës për regjistrim civil në veri të Mitrovicës.

Arrestimi i saj ka ardhur nën dyshimin për lëshim të dokumenteve dhe regjistrim të banorëve serbë si shtetas të Kosovës, të cilët nuk figurojnë të regjistruar në librat amëz si shtetas të Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Avni Zahiti.

“Dyshohet se ka lëshuar letërnjoftime, dhe certifikata për qytetarët serbë pa pasur ndonjë certifikatë origjinale, por vetëm më certifikatë të fotokopjuar”, tha Zahiti.

Sipas Zahitit nuk dihet se sa është numri i dokumenteve të tillë të lëshuara dhe as koha kur ka filluar kjo zyrtare t’i bëjë këto lëshime.

“Nuk dyshohet që ka marrë ryshfet për këtë veprimtari, por mbetet të hetohet”, shtoi Zahiti.