Përfundon Testi i Maturës

Me testimin e sotëm përfundoi pjesa e dytë e afatit të dytë të testit të maturës.

Monitoruesit e KALLXO.com vërejtën sot në shumë shkolla numër shumë të vogël të maturantëve që duhej t’i nënshtroheshin testit, ndërsa Ministria e Arsimit gjatë ditës vlerësoi se testi po shkon si duhet.

Dita e sotme e testit u karakterizua kryesisht me qetësi nëpër klasat ku ai zhvillohej edhe për arsyen se kishte më pak nxënës që iu nënshtruan atij.

Sipas monitoruesit të KALLXO.com në Shkollën “Ulpiana” të Lipjanit u përzien testet dhe listat e nxënësve të drejtimit natyror me atë shoqëror, ndërsa kur u vërejt kjo u përmirësua ky lëshim.

Kryesisht testi i maturës sot filloi me kohë përveç vonesës prej më shumë se 30 minutash në “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

Në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë u vërejt prani e paftuar e një polici në ambientet e shkollës, ndërsa në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik u desht të ftohet polici nga oborri i shkollës për ta nxjerrë jashtë një maturant që tentoi të kthehej përsëri në klasën ku e kreu testimin, pasi veç e kishte dorëzuar testin.

Gjatë ditës së sotme ky test si edhe tre vjetët e kaluar u monitorua nga ekipet e KALLXO.com.