Pal Lekaj, Deputet AAK

Pal Lekaj në Prokurori për Lotsjellësin në Kuvend

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vlerësuar se pushteti i udhëhequr nga LDK- PDK po vazhdon me masa represive ndaj deputetëve të opozitës.

Reagimi i AAK-së erdhi ditën kur deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, është ftuar në prokurori për t’u përgjigjur në veprat për të cilat dyshohet se ai i ka kryer brenda sallës së Kuvendit.

“Pikërisht në ditën për kur kryeministri kishte bërë një ftesë për dialog me opozitën, urdhërdhënësit politikë e mbajnë në prokurori deputetin Pal Lekaj, nga AAK, për ta zgjeruar lepezën e presionit politik e policor mbi të zgjedhurit e popullit”, thuhet në njoftimin për media të AAK-së.

AAK i bën pushtetit që “të heqë dorë nga këto metoda diktatoriale dhe të fokusohet se si ta nxjerrë vendin nga kriza”.

“Opozita nuk zmbrapset nga kauza e saj e drejtë pavarësisht arrogancës dhe masave që po përdor pushteti”, thotë AAK.

Aktualisht pesë deputetë të opozitës janë nën masa të sigurisë për zhvillimet në Kuvend. Përderisa Donika Kadajt dhe Albin Kurtit u është caktuar masa 30 ditëshe e paraburgimit, kolegëve të tyre Ismajl Kurteshi, Fisnik Ismaili e Haxhi Shala janë vendosur në arrest shtëpiak. Dy deputetë të tjerë, Albulena Haxhiu e Faton Topalli nuk i janë përgjigjur ende ftesave të prokurorisë për t’u marrë në pyetje.

Në protestën e opozitës më 18 nëntorit, policia e Kosovës pati arrestuar Asdren Lekajn, djalin e deputetit Pal Lekaj.

Pas arrestimit të dalit të tij, deputeti Lekaj kishte folur për KALLXO.com.

“Nuk i di arsyet pse është arrestuar, me siguri edhe ai ka dalë në përkrahje të deputetëve. Por si me çdo tjetër, ky shtet policor ka vepruar me djemtë tjerë ashtu edhe djali im nuk ka imunitet dhe nuk pritet më mirë nga ky pushtet”, pati thënë deputeti Lekaj.

Për veprimet e Asdrenit, në protestën e 18 nëntorit ku ishte hedhur gurë dhe gazë lotsjellës, gjykata kishte caktuar 30 ditë paraburgim ndaj tij.

Aktualisht Asdren Lekaj së bashku me 17 protestues të tjerë gjenden në paraburgim.

Arrestimet dhe marrjet në pyetje të deputetëve të opozitës ishin pjesë e debatit në emisionin e kaluar të “Jeta në Kosovë”.