Foto: KALLXO.com

Organizatorët e Festivalit ‘Sunny Hill’ japin detaje për edicionin e sivjetëm

Dukagjin Lipa, organizator i Festivalit “Sunny Hill” në një konferencë për media ka shpalosur disa nga detajet  e mbajtjes së këtij festivali, ku edhe ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi për tri vitet e ardhshme me Birea Peja.

“Jemi mbledh me shiju bashkëpunimin tonë jo vetëm për vitin 2019. Qëllimi i festivalit është promovimi i vendit tonë, i artistëve tonë dhe mundësinë e ndarjes së platformës së festivalit me artistë të mëdhenj botëror dhe ata lokalë”, theksoi ai.

Lipa ndër të tjerash ka treguar për mundësinë që Festivali “Sunny Hill” të mbahet për më shumë se tri ditë.

“Kemi me pas mysafir që gjithmonë kanë me qenë në krye të top listave botërore, me emra shumë të mëdhenj. Prej vitit të ardhshëm ndoshta, ose gjatë pesë viteve të ardhshme, do të dalim edhe si festival katër ditor ose pesë ditor varësisht prej nevojës dhe organizimit të mirë”, tha ai, duke shtuar se sivjet është hera e fundit që do të mbahet festivali në Gërmi, duke mos treguar lokacionin e ri.

Lipa u pyet edhe nëse është dekoruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për këto organizime.

“Jo, faleminderit. Nuk kemi nevojë për dekorata. Se bëjmë këtë punë për dekorata, e bëjmë këtë punë vetëm për Kosovën, për ta promovuar vendin”, ishte përgjigjja e organizatorit të festivalit.

Ndërkaq, Ernest Jusufi nga Birra Peja tha se bashkëpunimi i kompanisë me Festivalin “Sunny Hill është që nga viti 2016.

“Bashkëpunimin do ta vazhdojmë edhe për 3 vitet e ardhshme. Po shpresoj që krejt Evropa do të vij në Kosovë me e pa këtë festival, këta artistë që performojnë në Kosovë dhe ta shohin që shteti ynë është një shtet ku munden me kalu mirë, sepse ka shumë lajme negative për shtetin tonë”, tha ai.

“Sunny Hill Festival 2019” do të mbahet me 2, 3, dhe 4 gusht 2019 në Gërmi të Prishtinës.

Në këtë festival do të performojnë artisë të njohur ndërkombëtar si Miley Cyrus, Calvin Harris si dhe yje të tjerë të skenës muzikore vendore dhe ndërkombëtare.