Barack Obama - Foto: REL

Obama Angazhohet për më Tepër Gra në Poste të Larta

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka bërë thirrje për angazhimin e më tepër grave në poste të larta udhëheqëse, “pasi duket se burrat i kanë disa probleme këto ditë”.

Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të djeshëm në një konferencë në Paris, Obama ka theksuar se “nuk është përgjithësim, por gratë duket se kanë kapacitet më të mirë se burrat, pjesërisht për shkak të përshtatshmërisë së tyre sociale”.

Këto komente u bënë në periudhën e akuzave të shpeshta të keqtrajtimit dhe sulmeve seksuale në Shtetet e Bashkuara, që janë bërë kundër burrave në pozita të larta në politikë, biznes, në industrinë e filmit dhe të argëtimit, e të tjera.

Gjatë qëndrimit në Paris, zoti Obama qartas e ka kritikuar pasardhësin e tij, presidentin aktual amerikan, Donald Trump, lidhur me vendimin e tij për tërheqje të Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja për klimën. (REL)