Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi zgjodhi dy gra në krye të dy institucioneve të rëndësishme

Dy gra të Kosovës janë zgjedhur sot në pozita udhëheqëse të dy institucioneve të rëndësishme të vendit.

Albana Luta ka marrë besimin e Kuvendit të Kosovës për të drejtuar Komisionin Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Për Albana Lutën votuan 70 deputetë, ndërsa për kundërkandidatin e saj, Arsim Rashitin, 12 deputetë.

Në pjesën e pasditës të seancës, Kuvendi ka zgjedhur një grua tjetër në pozitë udhëheqëse.

Krenare Sogojeva-Dërmaku ka marrë besimin e Kuvendit për komisionere të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ajo u zgjodh me votat e 65 deputetëve, ndërsa la shumë prapa dy kandidatë të gjinisë mashkullore, Enver Bujarin (i cili ishte kandidati më i poentuar nga komisioni vlerësues) dhe Edon Miftarin.

Albana Luta dhe Krenare Sogojeva-Dërmaku u zgjodhën në këto pozita ndonëse ato janë shumë pak të njohura në publik.

Kohëve të fundit është rritur numri i grave në pozita udhëheqëse të institucioneve të vendit.

Në maj, Gresa Caka-Nimani, është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, në muajin prill, në krye të shtetit është zgjedhur Vjosa Osmani-Sadriu.