Nëna e dy fëmijëve u kërkon grave deputete të mos i votojnë ndryshimet për ligjin e lehonisë

Projektligji i ri që synon të rregullojë specifikisht çështjen e pushimit të lehonisë dhe atë prindëror pritet ta përgjysmojë numrin e muajve që një punëdhënës duhet t’ia paguajë punëtores që shkon në pushim të lehonisë.

Aktualisht, me ligjin e punës, punëdhënësit janë të detyruar të paguajnë 70 përqind të pagës bazë të një punëtoreje për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë.

Ndërsa me ndryshimet e reja po parashihet që një nënë që lind fëmijë të përfitojë në total 12 muaj pushim.

Tre muajt e parë parashihen të paguhen nga punëdhënësi me 70 përqind të pagës bazë, gjashtë muaj tjerë nga Qeveria me 50 përqind të pagës mesatare dhe tre muaj pa pagesë.

Përveç kësaj, për baballarët është paraparë që të ndahen 10 ditë pushim atësie me pagesë dhe 2 javë pa pagesë.

Ky model ka gjetur mbështetje nga bizneset që përfaqësohen nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Por lidhur me këto ndryshime që pritet ta afektojnë ligjin që rregullon pushimin e lehonisë ka edhe pakënaqësi.

Antigona Uka-Lutfiu nënë e dy vajzave e cila është në pritje të fëmijës së tretë përmes një letre i është drejtuar Kuvendit të Kosovës më saktësisht deputeteve gra, të cilave u ka kërkuar të mos e votojnë draft ligjin për pushimin e lehonisë.

Antigona Uka-Lutfiu njëherësh është edhe Zyrtare për Informim Publik në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Sipas saj në rast se draft ligji për pushimin e lehonisë aprovohet në formën siç është propozuar aktualisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk do të paraqet progres në respektimin e të drejtave të grave të punësuara, por, përkundrazi sipas kësaj nëne do të ketë regres dhe vështirësi të funksionimit normal për nënat dhe foshnjat.

Sipas Uka-Lutfiut me propozimet e reja për ndryshimin e ligjit të lehonisë, një nënë lehone me një pagë mesatare do të gëzojë nga 220 euro në muaj që nuk mjaftojnë.

“Një nënë e punësuar, për gjashtë muaj  pushim lehonie, prej kur bebja të jetë 3 muajshe, deri t’i bëjë 9 muaj, do të ketë nga 220 euro në dispozicion për mirëmbajtjen apo më mirë thënë mbijetesën e saj dhe të bebes. Të mos flasim, nëse bëhet fjalë për fëmijë të tjerë dhe plotësim të kushteve tjera elementare. Të nderuara deputete, kalkulojeni shpejt e shpejt, se si mund t’ia dalë një nënë me 220 euro pagë në muaj?! Çfarë rritje do t’i mundësojë bebes së saj”, shkruan Antigona Uka-Lutfiu.

Uka-Lutfiu është shprehur se pritjet e saj kanë qenë që në kuadër të ndryshimeve ligjore për këtë kategori, periudha e të drejtës prej 70 për qind të pagës bazë të zgjatet për një vit, e assesi të shkurtohet nga 6 në 3 muaj.

Më tej ajo ka shtuar se ndonëse këto ndryshime janë bërë me arsyetimin se bizneset private po i diskriminojnë gratë e punësuara, ndryshimet në ligjin e lehonisë vetëm sa do ta heqin barrën nga bizneset dhe do t’i dëmtojnë nënat lehona.

Me ndryshimet e reja në ligjin e lehonisë, Antigona Uka-Lutfiu tha se krahasuar me ligjin paraprak, me ligjin e ri ajo do të dëmtohet në total 477 euro apo nga 159 euro në muaj.

“Unë jam nënë e dy vajzave, dhe jam në pritje të lindjes së fëmijës së tretë. Dhe krahasuar me pushimin e fundit të lehonisë, nëse ju do ta votoni draft-ligjin në fjalë, për tre muaj, do të dëmtohem, minimumi, 477 euro, apo 159 euro për secilin muaj.

Ky kalkulim është bërë sipas pagës me koeficient 7.5, ndërkohë që tani jam me koeficient 8, ndaj, i bie që dëmi, që unë si nënë lehonë, do të pësojë tejkalon 500 euro për tre muaj, dhe kjo shumë, për mua, si grua e punësuar, me tre fëmijë të vegjël, me kredi dhe shpenzime si çdo familje normale në Kosovë, besomëni që është shumë”, është shprehur ajo.

Në fund Antigona Uka-Lutfiu u ka kërkuar deputeteve gra të jenë syçelë dhe të mos lejojnë assesi zvogëlim të pagës për nënat e reja.

“Krahas lejes prindërore që ky draft-ligj parasheh për baballarët, e që është e mirëseardhur, ju lus të tregoheni syçelë, dhe të këmbëngulni që, nëse nuk ka shpresa për zgjatje të periudhës me pagë më të dinjitetshme, të paktën, të mos lejoni kthim prapa, apo shkurtim të pagës, pasi kjo do të jetë e pafalshme nga nënat e reja, tatimpaguese të këtij shteti”, shkruan nëna e dy vajzave Antigona Uka-Lutfiu e cila është në pritje edhe të fëmijës së tretë.

Antigona Uka-Lutfiu njëherësh është edhe Zyrtare për Informim Publik në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Lidhur me këtë projektligj në një nga emisionet e ‘Jeta në Kosovë’, ka pasur kritika të ashpra nga shoqëria civile ndërsa lëvdata nga bizneset.