Nga gjykimi për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit. Foto: Kallxo.com

Në gjykatë lexohen deklaratat e dëshmitarëve për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Në rastin e vrasjes në Ratkoc të komunës së Rahovecit, me propozim të mbrojtjes sot u lexuan deklaratat e dëshmitarëve Bajram Morina dhe Muhamet Kiqmari të dhëna në Prokurori.

Në deklaratat e dëshmitarëve Muhamet Kiqmari dhe Evan Potera të dhëna në Prokurori, rezulton se ata së bashku me Liridon Sylejmanin dhe Hamdi Jusufin sipas marrëveshjes ishin nisur nga Gjilani në drejtim të Gjakovës, dhe rrugës janë furnizuar me dara dhe kaçavidë, pasi që kishin planifikuar të vjedhnin.

Sipas deklaratave, rrugës për në Ratkoc, në afërsi të marketit “Rama-F”, Liridon Sylejmani kishte pritur në automjet ndërsa i ndjeri Hamdi Jusufi kishte bërë roje.

Në deklaratat e lexuara u tha se Muhamet Kiqmari dhe Evan Potera me darë kishin tentuar ta hapin derën e marketit dhë në atë moment kishte dalë një person me armë në dorë.

“Ne kemi filluar të ikim dhe personi me armë na ka ndjekur dhe ka gjuajtur drejt neve mirëpo në gjuajtjen e dytë e ka qëlluar në kokë të ndjerin Hamdi”, thuhet në deklaratën e dhënë në prokurori.

Ndërsa dëshmitari Bajram Morina në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori kishte thënë se ka qenë matanë rrugës rreth 300-400 metra largësi, ka dëgjuar një zë duke bërtitur “Ndal”, dhe ka parë tre persona të veshur në të zeza duke vrapuar. Ai ka deklaruar se pasi kishte dëgjuar dy krisma, atëherë kishte parë personin e fundit të rrëzuar për tokë.

Në seancën e kaluar të mbajtur me 23 Gusht, zyrtarët e burgut kishin njoftuar gjykatën se Muhamet Kiqmari ishte arratisur nga burgu.

https://kallxo.com/arratisja-e-deshmitarit-nga-burgu-e-nderpret-gjykimin-per-vrasjen-ne-rahovec/

Gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor, prokurori Ali Uka i propozoi gjykatës që në një afat sa më të shkurtër të sigurohet prania në gjykatë e dëshmitarit Evan Potera. Ai tha se deklarata e tij e dhënë në Prokurori nuk është valide meqenëse ishte dëgjuar në cilësinë e të pandehurit.

Gjyqtari i rastit Gëzim Pozhegu, kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë ndaj Bajram Morinës dhe Evan Poterës, të cilët gjenden jashtë shtetit.

Në sallë të gjykimit ishte e pranishme edhe nëna e viktimës Nazife Jusufi.

Gjykimi do të vazhdojë nesër me leximin e provave materiale dhe mbrojtjen e të akuzuarit Feriz Hoti.

Me 5 dhjetor të vitit 2017, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje, pasi që dyshohet që kishte privuar nga jeta viktimën Hamdi Jusufi.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të vitit të kaluar, kur qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin ta thyenin derën e marketit “Rama F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi t’i ndjekë ata.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen, duke i sharë e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai kishte gjuajtur drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes,…” thuhet mes tjerash në aktakuzë.