Shpallja e aktgjykimit për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit. Foto: Kallxo.com

Gjykata vendosi për rastin e vrasjes në Ratkoc të Rahovecit

Feriz Hoti, i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është liruar sot nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Në shpalljen e aktgjykimit, nga kryetari i trupit gjykues, Hoti për të dy veprat lirohet në mungesë të provave nga aktakuza e Prokurorisë.

Gjykata e liroi të akuzuarin edhe nga obligimi i shpenzimeve procedurale.

Me këtë vendim, gjykata ia ndërpreu Hotit edhe paraburgimin, pasi që tashmë kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore për të cilat ishte caktuar.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, e udhëzoi palën e dëmtuar që brenda 15 ditëve ta bëjë parashtrimin e ankesës.

Në sallë të gjykimit ishin të pranishëm të gjitha palët, përveç prokurorit Ali Uka.

Hoti akuzohej se këto vepra i ka kryer natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin.

Në seancën e kaluar, pas rihapjes së gjykimit pas dëshmisë së dëshmitarit Muhamet Kiqmari, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte kërkuar nga gjykata lirimin e tij, duke i shprehur keqardhje të dëmtuares Nazife Jusufi.

https://kallxo.com/i-akuzuari-flet-per-naten-kritike-kur-u-vra-gjilanasi/

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai vazhdoi të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

https://kallxo.com/rihapet-gjykimi-per-vrasjen-ne-ratkoc-te-rahovecit/