Pamje nga konferenca e lansimit të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës – Foto: ZKM

Mustafa: Mbrojtja e Fëmijëve - Prioritet i Qeverisë

Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë në prezantimin e Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijëve, i cili ka vlerësuar pozitivisht Kosovën në sektorin e qeverisjes dhe koordinimit të përpjekjeve të saj për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas shefit të Qeverisë, Indeksi do të ndikojë në lehtësimin e planifikimit të veprimeve dhe politikave të institucioneve qeveritare dhe të akterëve tjerë për adresimin dhe tejkalimin e vështirësive me të cilat mund të ballafaqohen.

Mustafa tha se Qeveria po punon shumë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe përmendi miratimin të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili pritet të shqyrtohet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe të kalojë në Kuvend.

“Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për vendosjen e fëmijëve në qendër të prioriteteve. Kabineti qeveritar në maj të këtij viti ka ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, Projektligj ky i cili pritet te shqyrtohet këto ditë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe shpresoj të kalojë edhe procedurat në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa.

Sipas kryeministrit, ky Indeks është një mjet i dobishëm, që siguron një qasje avokuese të bazuar tek provat në diskutimet e politikave, identifikon nevojat dhe mangësitë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, krijon mundësi për krahasime brenda rajonit për qëllim avokimi dhe financimi, nxit përmbledhje të dhënash, etj.

Në këtë konferencë u tha se qëllimi i këtij Indeksi ishte unifikimi dhe përforcimi i të kuptuarit të situatës në mbrojtjen e fëmijëve, identifikimi i boshllëqeve ndërmjet politikës dhe praktikës, sigurimi i dëshmive mbi politikat për mbrojtjen e tyre dhe rekomandimi për përmirësimin e tyre.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, përmendi ngritjen e nivelit të mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve apo çështjeve të tjera që u adresohen institucioneve.

“Niveli i zbatimit te rekomandimeve dhe mënyra se si këto gjetje të organizatave trajtohen nga institucionet publike është njëra prej sfidave që duhet të tejkalohet,” tha ai.

Në këtë takim gjithashtu u nënshkrua një deklaratë zotimi për të mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe prezentë ishin edhe ambasadorja gjermane Angelika Viets dhe James Mugaju, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Redaktoi: Naser Sertolli