Raketë TB8604 gjetur në Siri. Foto: CAR

Municionet Sllovene Dyshohen për Lidhje me ISIS

 

Një skuadër ekspertësh të armëve ngarkuar nga BE-ja po hetojnë lidhjet e municioneve të ushtrisë sllovene të gjetura në duart e militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, si dhe në Libi.

“Kemi dërguar kërkesa në të gjitha palët e përfshira dhe aktualisht po hetojmë mundësi të tjera të itinerareve të furnizimit,” tha për BIRN në një deklaratë të shkruar grupi Kërkimor i Konfliktit të Armatosur, CAR, një grup i ngarkuar nga Brukseli për të ndjekur gjurmët e municioneve të gjetura në fushëbetejë.

Në një raport të publikuar më herët këtë muaj, CAR ka zbuluar se një raketë anti-tank gjetur në Libi, një kuti predhash të zbuluara me Shtetin Islamik në Irak dhe një tjetër raketë e gjetur te ISIS në Siri mund të vijnë të gjitha nga rezervat ushtarake të Sllovenisë.

Megjithatë, municioni besohet se ka kaluar në vende të tjera përgjatë rrugës për në Lindjen e Mesme, që do të thotë se Sllovenia ka pak gjasa të jetë përgjegjëse direkte.

Të tre artikujt janë prodhuar në periudhën Jugosllave dhe si rezultat pajisje me numra të ngjashëm mund të kenë qenë në rezervat ushtarake të shtatë shteteve të ish-Jugosllavisë.

Deri më sot, vetëm Sllovenia ka pranuar se ka ruajtur municione me këto numra serikë.

Ministria e Mbrojtjes në Lubjanë ka pranuar se një raketë anti-tank në Libi dhe predhat në Irak kishin numrat serikë të pajisjeve që më parë zotëroheshin nga ushtria.

Kjo është hera e parë që rezervat ushtarake jugosllave të Sllovenisë janë zbuluar si një burim i mundshëm armësh në Lindjen e Mesme.

Projektuar për shkatërrim

Raketa në Libi kishte të njëjtin numër serial me më shumë se 100 të tjera që ishin programuar të shkatërroheshin për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes në Sllovaki nga një kompani shtetërore demontimi.

Ministria sllovake e Ekonomisë në Bratislavë tha se tani po e analizon çështjen.

Në një raport, CAR zbuloi se një raketë M79 që dokumentoi në Tripoli në 2015, me numër serial TB8606, është lidhur me municione të mbajtura më parë nga ushtria e Sllovenisë.

Në një letër të dërguar CAR dhe publikuar nga autoritetet sllovene te gazetarët, Ministria e Mbrojtjes shpjegon se si 132 raketa me numrin serial TB8606 u dërguan në një firmë shtetërore sllovake – Vojensky Opravarensy Podnik, VOP në 2005 për t’u demontuar.

Në 2007, pati një shpërthim të madh në godinën e municioneve të VOP, ku vdiqën tetë persona dhe u plagosën 30 të tjerë. Kompania kurrë nuk e mori veten pas kësaj dhe me kalimin e kohës u mbyll.

Autoritetet në Sllovaki dhe Slloveni thanë se VOP kishte ofruar nëj dokument që detajonte sasinë e municioneve të marra dhe të shkatërruara, përfshirë raketën M79.

Ministria Sllovene e Mbrojtjes shtoi se “nuk kishte bërë asnjë pyetje shtesë rreth zbulimeve të CAR sepse nuk kishte arsye përse”.

Por asnjë nga republikat ish-Jugosllave nuk ka pranuar ende se ka pasur në stok këto raketa specifike të prodhuara në fabrikën Tito Vogošća në Bosnje-Hercegovinë në qershor 1986, sipas të dhënave që shkruhen në to.

Kjo ngre pikëpyetjen se raketa nuk është shkatërruar dhe më vonë është eksportuar në Libi, megjithëse nuk ka akuza specifike për asnjë nga të përfshirët në procesin e shkatërrimit të armëve.

Ministria sllovake e ekonomisë tha se nuk ka dhënë një licencë eksporti për këto raketa, por shtoi: “Po e verifikojmë”.

Në raportet e tij, CAR thekson se raketa të tjera M79 janë gjetur në duart e ISIS në Siri dhe mund të jenë nga i njëjti burim me atë të gjetur në Libi, lidhur me Slloveninë, duke qenë se numrat e tyre serialë ishin vetëm dy shifra më ndryshe.

Dhuratë e padëshiruar

Predha e gjetur në duart e ISIS në Irak është lidhur ngushtë me një donacion të pajisjeve ushtarake te ushtria afgane nga ana e Sllovenisë.

Nga marsi në prill 2015, forcat anti-ISIS në Irak gjetën një kuti të zbrazur të predhave të periudhës jugosllave në qytetin Tikrit.

Sipas një letre nga Ministria Sllovene e Mbrojtjes për CAR, predhat identike me të njëjtin numër serial janë dhuruar te ushtria afgane në 2008 si pjesë e një programi të NATO-s.

Rreth 17,280 copë predha M68 u dërguan në Afganistan, ku 690 mbanin numrin serial RZK8205-1P.

Këto predha të periudhës jugosllave u prodhuan në fabrikën Remontni Zavod në Kragujevaç në Serbi, në maj 1982, sipas numrit serial.

Ashtu si me raketat, disa nga predhat mund të jenë dërguar edhe nga vende të tjera të ish-Jugosllavisë përveç Sllovenisë.

Nëse predhat kanë kaluar nga Afganistani në duart e ISIS në Irak, zbulimi do të ngrejë pyetje të rëndësishme rreth sigurisë së donacioneve të tilla, veçanërisht prej faktit se vende si Shqipëria dhe Republika Çeke kanë bërë dhurata të mëdha për forcat kurde në Irak në vitet e fundit.

Ministria Sllovene e Mbrojtjes tha se predha do të përdorej në betejën mes ushtrisë afgane dhe talibanëve dhe se mund të binte në duart e talibanëve ose grupeve të tjera rebele.

Ky artikull u prodhua në bashkëpunim me Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP.