Ilustrim

Mitrovicasi arrestohet në Shqipëri pasi vodhi një çantë me para

Një person nga Mitrovica, i dyshuar për vjedhje është kapur nga Policia e Shtetit në flagrancë.

Siç bën të ditur Policia e Shtetit, rasti ka ndodhur në Milot, derisa i dyshuari është arrestuar pasi ka vjedhur nga çanta një shumë parash një shtetasi.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme , kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin B.A., 46 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë. Ky shtetas, në tregun e Milotit, i ka vjedhur nga çanta një shtetasi shumën monetare prej 100.000 lekë”, njofton Policia.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, 57 vjeçari nga Kurbini e ka konstatuar në moment dhe ka lajmëruar policinë, ku falë reagimit në kohë, shërbimet e policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma monetare që shtetasi B.A. , kishte vjedhur në çantën e 57 vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kurbin,për veprën penale “Vjedhja”neni 134 i Kodit Penal”, ka bërë të ditur Policia.