Ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zv.ministri turk, Bilal Uçar - Foto: Facebook/AbelardTahiri

Ministri Tahiri Shqetësohet nga Moszbatimi nga Turqia i Marrëveshjes për Ndihmë Juridike

Lajm i plotësuar më 14 shkurt 2018 në orën 15:29

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar gjatë ditës zëvendësministrin e Drejtësisë së Turqisë, Bilal Uçar.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë, Tahiri ka vlerësuar lartë mbështetjen e Turqisë për Kosovën si dhe shprehur gatishmërinë e plotë për të kultivuar marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

“Në të njëjtën kohë, shpreha shqetësimin tim për moszbatimin e mjaftueshëm të marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellët juridike nga ana e prokurorisë turke në kërkesat e Kosovës, në lidhje me ekstradimin e disa shtetasve kosovar që veprojnë në Turqi dhe që dyshohet që janë të infiltruar në organizata terroriste”, ka shkruar ministri Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

“Rritja e bashkëpunimit do t’u mundësonte dy vendeve bashkërendim më të mirë të veprimeve në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe tendencave të kësaj natyre, që tashmë janë bërë problem global”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Sipas njoftimit, zëvendësministri turk i Drejtësisë është zotuar që kërkesat do të shqyrtohen me prioritet, duke theksuar rëndësinë që ka për Turqinë bashkëpunimi me Kosovën në këtë drejtim.

Ambasada e Turqisë në Kosovë, më 14 shkurt 2018, ka dërguar në KALLXO.com një sqarim rreth lajmit të mësipërm të cilin po e botojmë në tërësi:

Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë i kryesuar nga zv. Ministri i Drejtësisë z. Bilal Uçar ka vizituar Kosovën më 6 Shkurt 2018 ku është takuar me Ministrin e Drejtësisë dhe autoritete tjera Kosovare. Në këto takime është biseduar për bashkëpunimin juridik mes dy vendeve.

Në anën tjetër, pas vizitës së përmendur në deklaratat ku thuhet se “nuk zbatohet marrëveshja për ndihmë të ndërsjellët juridike nga Turqia në kërkesat e Kosovës, në lidhje me ekstradimin e disa shtetasve kosovar që veprojnë në Turqi dhe që dyshohet që janë të infiltruar në organizata terroriste” nuk reflektojnë të vërtetën. Mendojmë se këto deklarata, si rezultat i keqkuptimeve janë bërë pa dashje. Mes Turqisë dhe Kosovës nuk ekziston një temë e tillë.

 

Sqarim i redaksisë

KALLXO.com dëshiron të sqarojë se lajmi është shkruar bazuar tërësisht në deklaratën e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, të bërë pas këtij takimi. Deklaratën e tij mund ta lexoni në këtë link.