Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë. Foto: Facebook

Ministri Tahiri për Specialen: Obligohem t'i Zbatoj Vendimet e Kuvendit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i pyetur rreth iniciativës së deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale tha se është në duar të Kuvendit të vendosë.

Ministri Tahiri në një deklarim të sotëm për media gjatë vizitës në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku vizitoi Qendrën e Paraburgimit bashkë me drejtorin e Shërbimit Korrektuese të Kosovës, Sokol Zogaj.

Tahiri tha se çështja e Gjykatës Speciale është punë e deputetëve, por thotë se ai është i detyruar të punojë me ligjet që i nxjerrë Kuvendi i Kosovës.

“Kjo është çështje e atyre deputetëve që e kanë kërku. Unë si ministër i drejtësisë punoj me ligjet aktuale që janë në fuqi, pra me ato ndryshime kushtetuese dhe me miratimin e ligjit për formimin e Dhomave të Specializuara. Kjo është një iniciativë e tyre politike dhe në asnjë rrethanë nuk do ta komentoj, por unë jam i obliguar të punoj në konform ligjeve të cilat dalin nga Kuvendi i Kosovës. Kosova ka një sistem parlamentar dhe ne si qeveri i përgjigjemi kuvendit dhe çfarëdo miratimi i ligjit nga Kuvendi, unë obligohem ta zbatoj”, tha Ministri Tahiri.

Gjatë ditës së sotme, Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me krerët e misioneve e BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën kërkuan nga deputetët inicues të shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale që ta tërheqin këtë iniciativë.

http://kallxo.com/kerkon-nga-deputetet-te-terhiqen-nga-shfuqizimi-speciales/