Mbështetje për Doganën nga Franca dhe Italia

Sipas një komunikate të doganës seminari për bashkëpunim u zhvillua me anë të projektit të përkrahur nga dogana italiane dhe ajo franceze.

Seminari kishte për qëllim që të informojë komunitetin tregtar mbi mundësitë e bashkëpunimit sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa si tema u trajtuan statusi i operatorëve ekonomikë të autorizuar, procedurat e thjeshtëzuara dhe e drejta e pronësisë intelektuale.

Andreas Ferrarese, ambasadori italian në Kosovë në hapjen e seminarit theksoi se “komuniteti ndërkombëtar përkrah bashkëpunimin në mes të biznesit dhe administratës publike me qëllim që të rritet zhvillimi ekonomik,  derisa Dogana e Kosovës është një tregim suksesi”.

Nga ana tjetër këshilltarja e parë e ambasadores franceze në Kosovë Lise Moutoumalaya tha se “projekti i binjakëzimit ka qenë shumë i suksesshëm, si dhe ka prodhuar rezultate konkrete”.

Lulzim Rafuna, drejtori i Doganës së Kosovës duke falënderuar qeveritë e Francës dhe Italisë për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar deri tani, tha se zbatimi i projektit mes tri doganave ka prodhuar lehtësira të të bërit biznes.

Dogana e Kosovës vitin e kaluar shënoi mbledhje rekorde të të hyrave, ndërsa sivjet planifikon arkëtim të 1 miliard eurove.

http://kallxo.com/doganat-5-8-milione-euro-mbi-parashikimet/