FOTO Ilustrim

Maqedonia Lufton Valën e Emigrantëve të Paligjshëm

Që nga marsi pas mbylljes nga ana e disa vendeve të të ashtuquajturit itinerar ballkanas të refugjatëve dhe emigrantëve, autoritetet maqedonase thonë se numri i atyre që përpiqen të kalojnë kufirit e vendit në mënyrë të paligjshme është rritur në mënyrë drastike.

Në përpjekje për të parandaluar hyrjet e paligjshme Organi Koordinues i Maqedonisë për Refugjatët dhe Emigrantët, pjesë e Qendrës për Menaxhimin e Krizave Kombëtare, muajin e kaluar shtoi praninë e policisë dhe ushtrisë në kufirin jugor me Greqinë.

Në 24 orët e fundit ka pasur mbi 120 përpjekje për hyrje të paligjshme nga ana e emigrantëve dhe refugjatëve nga Greqia në Maqedoni sipas policisë maqedonase.

Autoritetet kapën 49 emigrantë që po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte arritur të hynin në kufirin grek.

“Nuk ka mënyrë për të llogaritur se sa kanë hyrë me sukses në Maqedoni pa u vënë re. Numrat e tyre  [që nga marsi] mund të jenë me mijëra,” tha për BIRN-in C. A., një komandant i policisë kufitare maqedonase që këmbënguli për anonimitet.

Shumica e emigrantëve që kalojnë kontrollin kufitar vazhdojnë më tej në veri drejt Serbisë dhe më pas vendeve të tjera të BE-së.

“Një nga pikat hyrëse më të nxehta në vend është fshati Moin [pranë Gjevgjelisë]. Ne mendojmë se banorët dhe trafikantët i ndihmojnë ata përgjatë rrugës për një tarifë të caktuar,” tha C. A. për BIRN-in.

Të shtunën, një 17-vjeçare afgane lindi një fëmijë pasi u kap nga autoritetet në qytetin jugor të Gjevgjelisë, ndërsa përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin nga Greqia bashkë me bashkëshortin e saj dhe emigrantë të tjerë.

Menjëherë pas rrethimit prej forcave të sigurisë, vajza lindi një fëmijë në një kamion ushtrie përgjatë rrugës për në spitalin e Gjevgjelisë ku po qëndron aktualisht, raportoi Alfa TV.

Bashkëshorti i saj i tha Alfa TV-së se ata po largoheshin nga kampi i refugjatëve pranë Selanikut në Greqi ku ishin përballur me kushte të këqija.

“Kushtet në kamp ishin shumë të këqija, nuk kishte ushqim dhe siguri. Kishte grindje mes njerëzve çdo ditë,” citohet të ketë thënë burri.

Bashkë me emigrantët që kalojnë kufirin më shumë se 200 emigrantë dhe refugjatë kanë mbetur në Maqedoni, 130 në kampin e refugjatëve në Gjevgjeli dhe 80 në Tabanovc në kufirin verior me Serbinë.

Gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015, rreth një milion refugjatë kaluan në Maqedoni dhe më pas Serbi përgjatë rrugës së tyre për në vendet e BE-së.