Qeveria e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Lista Serbe i Bashkohet Qeverisë Haradinaj

Lista Serbe do të hyjë në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, në krye të së cilës pritet të jetë Ramush Haradinaj, kanë vendosur sot deputetët e Listës Serbe pas takimit me drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.

Siç është thënë në konferencën për media në Beograd, Lista Serbe do të ketë Ministrinë për Kthim, Bujqësi dhe Administratën e Pushtetit Lokal, si dhe gjashtë ndihmës të ministrave, shkruajnë mediat serbe.

“Me hyrjen në Qeveri do të kemi rastin që të luftojmë për programin e Listës Serbe”, tha kandidati për ministër Nenad Rikalo.

Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Ramush Haradinajt nuk do të ndryshojë.

Votimi i Qeverisë Haradinaj është paraparë të ndodhë sot në orën 16:00 në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës. /21Media