LDK dhe AAK 'përplasen' për shifrat e humbjeve të vendeve të punës

Raporti i Bankës Botërore për humbjet e vendeve të punës në Kosovë, u bë shkak i polemikave mes deputetëve të opozitës dhe pozitës  në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për pagën minimale në vend.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në fjalën e saj ia përmendi Qeverisë këtë raport, duke thënë se Kosova ka humbur shumë vende të reja të punës.

“Edhe efekt i taksës po shihet, i kemi humb 17 mijë vende të punës në bazë të Bankës Botërore, e cila është bazuar në statistikat vendore”, tha ajo.

E për këtë, reagoi deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi ku tha se statistikat e Bajramit janë të pasakta.

“Më bëri përshtypje fjalim i ish-ministres Bajrami, e cila shërbehet me të dhëna të pa sakta, ka qenë ish ministre dhe i përmendi për statistikat e Bankës Botërore por nuk e tha deklaratën e fundit të Bankës Botërore që nuk qëndron ajo për humbje të vendeve të punës, na edhe me ligjin për buxhet para shumë kohësh që e kemi votu në Kuvend edhe të dhënave të ATK-së del se vendet e punës për vitin 2018, janë rrit rreth 18 mijë vende”, tha Kuçi.

Ndaj tij kërkoi kundër replikë, Hykmete Bajrami.

“Nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale e thash në fillim edhe e para shërbehem me statistika zyrtare. Ne tash si ju nuk jemi në Qeveri  me i thirrë prej prokurorëve e krye shefave të Agjencisë më u raportu nëpër zyre, as se kemi praktiku sa kemi qenë në Qeveri, i lexojmë të dhënat që i publikohen”, tha Bajrami.

Në raportin “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019” të Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thuhet se papunësia në Ballkanin Perëndimor ka shënuar ulje, duke rënë në 15.3 për qind nga 16.2 për qind sa ishte vitin paraprak.

“Papunësia ka shënuar një ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Shkalla e papunësisë sillej nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë” thuhet në raport.

Kurse, Qeveria e Kosovës kishte reaguar duke thënë se ky raport është i pavërtetë dhe i pabazuar.