Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti tallet me platformën e delegacionit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka përqeshur platformën e delegacionit shtetëror të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Kurtit asetet e Kosovës janë hedhur në aksham pazar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke sjellë një situatë si në Bosnjë, Palestinë dhe Hong Kong.

“Opsione për Kosovën, sa të duash. Me 13 pika, me 16, me 17, me 22 pika! Sepse i ashtuquajturi president i Kosovës e ka vënë shtetin tonë në pazar dhe po thotë se u bë aksham. Kosovën don ta çmontojë dhe ta falë ose shesë pjesë-pjesë: dikujt Trepçën, tjetërkujt Ujmanin, me përqindje KEK-un, Mitrovicën ta bëjë Bërçko, kishat e manastiret ortodokse Hilandar, dhe, statuse speciale gjithandej diku 35 e diku 99 vjet. Çka i bie kjo, si Bosnja, si Palestina apo si Hong Kongu? Paj, të trija këto”, ka shkruar Kurti në facebook.

Sipas tij një njohje eventuale nga Serbia do të vijë vetëm atëherë kur Kosova të jetë e cunguar dhe pa pjesët aktuale.

“Ama në fund të dialogut na vjen njohja, thotë edhe qeveria porsi ai – pra, do të njihet ajo që mbetet nga Kosova, ndërkohë që e kanë pranuar mosnjohjen e Serbisë. Këta njerëz edhe pavarësinë ta varin”, ka shkruar tutje ai.