Kurteshi: Rezultatet e PISA-s Pasojë e Qeverive të Pasluftës

Lëvizja “Vetëvendosje” sot mbajti konferencë për medie lidhur me rezultatet e testit PISA që i renditin nxënësit kosovarë në mesin e tri vendeve të fundit nga 72 shtete pjesëmarrëse.

Deputeti i VV-së Ismajl Kurteshi rezultatet e dobëta i lidhi me punën e pamjaftueshme të institucioneve qendrore e lokale dhe ndërhyrjet politike në fushën e arsimit.

“Kjo gjendje vjen si pasojë e mosangazhimit të duhur në fushën e arsimit të të gjitha qeverive të pasluftës, ndërhyrjes së politikanëve në fushën e arsimit, jo për ta ndihmuar atë, por për të përfituar politikisht,” tha Kurteshi.

KALLXO.com shkroi dje për rezultatet e testit PISA.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

Kurteshi më tutje në konferencë deklaroi se së pari të gjithë duhet ta pranojmë që gjendja në arsim është shumë e rëndë, por sipas tij ndryshimi i gjendjes nuk mund të bëhet me qeverinë aktuale.

“Kjo nuk mund të ndodhë me personazhet e qeverisë pronto, nuk mund të organizosh korrupsion dhe krim ne një vend dhe të ndërtosh arsim e sistem serioz të edukimit,” tha Kurteshi.

Ai rekomandoi edhe si të përmirësohet gjendja në arsim.

“Buxheti për arsim duhet të ndërrojë dhe të rritet, strategjitë e cilësisë nuk mund të funksionojnë nëse përgjegjësve për këtë gjendje nuk u ndahet përgjegjësi dhe ndëshkim ligjor,” tha Kurteshi.

Sot në mbledhjen e qeverisë ministri i Arsimit Arsim Bajrami e pranoi se gjendja në arsim nuk është e mirë dhe kërkoi më shumë buxhet për sektorin që drejton.

http://kallxo.com/bajrami-gjendja-ne-arsim-nuk-eshte-e-mire/

Në konferencë Kurteshi kërkoi krijimin e kushteve për fitimin e njohurive të nevojshme të nxënësve duke u siguruar biblioteka, laboratorë të punës pa të cilët deklaroi se nuk mund të studiohet shkenca.

Gazeta “Jeta në Kosovë” shkroi në vitin 2014 për gjendjen e shkollave në shumë vende të Kosovës.

Larg për të Qenë Shkolla Evropiane

Ndryshe nga Kurteshi, deputeti Mytaher Haskuka veçoi për mirë arsimin në Prishtinë, komunë që drejtohet nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Komuna e Prishtinës është duke treguar shembullin më të mirë në arsim dhe shpresoj që edhe komunat tjera të marrin këto praktika nga Komuna e Prishtinës,” tha Haskuka.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri