Kthehet në Rivendosje Gjykimi për Vjedhjen e Pajisjes së Zërimit

Drejtori Vokshi akuzohet për keqpërdorim detyre apo të autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Vokshi ngarkohet se kishte detyruar shtëpiakun e Komunës së Gjakovës Bekim Gutajn që të blejë një pajisje zërimi (miksetë), pasi kjo e fundit ishte vjedhur nga salla e Kuvendit Komunal.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-drejtorit-armend-vokshi-per-pajisjen-e-zerimit/

Në mars të viti të kaluar KALLXO.com zbuloi se miksetën e kishte vjedhur një i afërm i drejtorit Vokshi.

http://kallxo.com/historia-e-pajisjes-per-zerim-qe-u-vodh-nga-i-afermi-i-drejtorit-komunal/

Drejtori Vokshi e mirëpriti vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Dua t’i falënderoj institucionet e drejtësisë për vendimin që kanë sjellë, njëkohësisht tashmë pres që të vazhdojë drejtësia dhe të vendoset në vend në fazat e tjera,” tha Vokshi për KALLXO.com.

Vokshi tha se vendimi për rivendosje është treguesi më i mirë i pafajësisë së tij.

”Gjykata e Apelit me datën dymbëdhjetë shkurt ka hedhur poshtë vendimin e gjykatës themelore dhe aktakuzën e ka quajtur të pabazuar për shkak të paqëndrueshmërisë së provave dhe fakteve. E tërë kjo është e nisur siç e kam cek në fillim nga ana e punonjësve të komunës për ndikime politike që kanë qenë të ndikuar me qëllimin që vetëm të më bëjnë dëm në aspektin e reputacionit, por edhe në aspektin e punës,” tha Vokshi.

Prokuroria Themelore në Gjakovë në tetor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër Armend Vokshit, por avokati i tij Teki Bokshi kishte paraqitur kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale.

Gjykata Themelore në Gjakovë kishte refuzuar kërkesën e avokatit për hedhje poshtë të aktakuzës, me arsyetimin se aktakuza është e mbështetur në prova të mjaftueshme.

Avokati Bokshi9 pastaj u ankua në Gjykatë të Apelit. Kjo gjykatë anuloi vendimin e themelores, aprovoi ankesën e mbrojtjes, ndërsa ktheu në rivendosje çështjen e drejtorit të Administratës së Përgjithshme.

KALLXO.com siguroi vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, aktakuza është në kundërshtim me vetveten dhe arsyet e paraqitura në të, ngase nga aktakuza nuk vërehet qartë se cilat janë veprimet inkriminuese të të akuzuarit për veprën penale që i vihet në barrë,” thuhet në vendimin e Apelit. [interaction id=”56d563894ab46a010353553a”]