Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi kritikon 'qasjen bllokuese' të opozitës

Opozita nuk është pajtuar me asnjë propozimeve që të gjejmë rrugëdalje e pajtueshmëri për t’i mbajtur seancat e jashtëzakonshme, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila zgjati më shumë se dy orë.

Sa u përket dy seancave të jashtëzakonshme ato ndoshta do të caktohen ditëve në vijim, tha Krasniqi.

“Sa i përket PDK-së, i kemi ftuar grupet parlamentare të gjejmë zgjidhje të përbashkët, por opozita nuk pranoi asnjë propozim, as tonin as të kryetarit për të gjetur një rrugëdalje nga situata”, shtoi Memli Krasniqi.

Krasniqi kritikoi opozitën për “qasjen bllokuese”, e cila sipas tij duket se do të vazhdojë.

Në këtë mbledhje të Kryesisë është diskutuar rreth dy seancave të jashtëzakonshme, njëra e thirrur nga kryeministri Haradinaj, e tjetra nga opozita.

E para ka dështuar të përfundojë për mungesë kuorumi, ndërsa seanca e thirrur nga opozita nuk ka nisur fare po ashtu për shkak të mungesës së kuorumit.