Flamuri kuqezi në Prishtinë | Foto: BIRN

Kosovarët i Qëndrojnë Besnik Flamurit Kuqezi

Shqiptarët e Kosovës ende kanë ndjenja shumë më të forta për flamurin kuqezi shqiptar sesa për atë të miratuar kur u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Flamuri zyrtar është i kaltër me një hartë të verdhë të Kosovës në mes dhe gjashtë yje të bardhë që përfaqësojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Por ndjenjat më të thella për flamurin e vjetër vijnë shpesh përpara, veçanërisht gjatë festave kombëtare si 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe “dita e flamurit kombëtar”, të cilat kosovarët gjithashtu i festojnë duke varur flamurin shqiptar në sheshe, dyqane dhe kafene.

“Emocionalisht, flamuri kuqezi është një tjetër histori, ne u rritëm me dashurinë për këtë flamur, por duhet ta respektojmë edhe flamurin e Kosovës”, tha për BIRN, Shyhrete Beqiri, 38 vjeçare nga Prishtina.

“Sa i përket aspektit kombëtar, ekziston një dallim i madh midis flamurit shqiptar dhe atij kosovar. Flamuri kuqezi është flamuri ynë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Për flamurin e Kosovës, unë mund të kem vetëm respekt”, tha për BIRN një tjetër banor i Prishtinës, Fetah Krasniqi, 48 vjeçar.

Flamuri kuqezi në Sheshin “Nënë Tereza” | Foto: BIRN

Xhafer Bardheci, 63 vjeç, duke komentuar gjashtë yjet e bardhë në flamurin e Kosovës që përfaqësojnë të gjitha komunitetet kryesore në Kosovë, tha se ishte një mesazh i vështirë për t’u ndjekur.

“Ne nuk jemi aq të mirë si vend për të ndjekur mesazhin që ky flamur ka, bashkëpunimin midis të gjitha komuniteteve. Ne nuk po punojmë në atë drejtim”, tha Bardheci. “Unë kam vetëm një simpati shumë të dobët për flamurin e Kosovës”, pranoi ai.

Një banor i Gjilanit, Albion Basha, 18 vjeç, tha se mendon se flamuri i Kosovës ishte thjesht politik.

“Unë mendoj se flamuri kuqezi u përket të gjithë shqiptarëve, ndërsa ai i kaltër i takon vetëm Hashim Thaçit [Presidentit të Kosovës]. Flamuri në zemrat tona është ai kombëtar”, tha Basha.

Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci tha se është për të ardhur keq që kjo është ende një çështje, qoftë të identifikohesh me flamurin e Kosovës ose të Shqipërisë, pasi një person mund të ketë lehtë dy ose më shumë identitete.

“Origjina e këtij keqkuptimi rrjedh nga përzierja e konceptit të përkatësisë etnike dhe kombësisë. Dikush mund të jetë shqiptar sipas etnisë dhe një kosovar sipas kombësisë. Këto dy identitete nuk janë reciprokisht ekskluzive”, tha Gjinovci për BIRN.

Flamuri në hyrje të një lokali në Prishtinë | Foto: BIRN

Duke shpjeguar se jeta nën një regjim shtypës kur “të paktën që nga 1989, identiteti i kosovarëve u mohua në forma të ndryshme nga institucionet represive serbe të [Slobodan] Milosheviqit”, Gjinovci shtoi: “Sa më shumë një identitet mohohet ose shtypet, aq më shumë bëhet agresiv.”

Estetikisht, sipas Gjinovcit, “flamuri i Kosovës është një fatkeqësi dhe produkt i një procesi jodemokratik për ta miratuar atë”, por kjo nuk do të thotë që qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë krenarë për atë, në ngjarje të veçanta.

“Ky është flamuri që i bëri kosovarët krenarë kur Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike dhe kur ajo u shpall kampione botërore e xhudos në Rusi në vitin 2014”, tha Gjinovci, duke kujtuar triumfin e atletëve.

“Mund të ketë nevojë për më shumë kohë dhe një ndryshim të gjeneratave për të dy [flamurët], për të gjetur vendet e tyre në mendjet dhe zemrat e njerëzve”, vuri në dukje Gjinovci.

Kosova u lirua nga sundimi serb në vitin 1999, pas një konflikti të armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së dhe forcave serbe, pas një fushate ajrore të NATO-s kundër Serbisë.

UÇK-ja luftoi nën flamurin shqiptar, por kjo nuk gjeti mbështetje te sponsorët ndërkombëtarë të Kosovës të cilët donin diçka më pak etnike. Si rezultat, që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ajo është përfaqësuar nga flamuri i ri me ngjyrë të kaltër, të verdhë dhe të bardhë.

Flamuri në hyrje të një restoranti në Prishtinë | Foto: BIRN