Kosova dhe Maqedonia me marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve

Është nënshkruar sot (e hënë – 28 janar 2019) marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa është shprehur se arritja e kësaj marrëveshjeje është mundësi e mirë për të dy shtetet, pasi rritet besueshmëria për dokumentacionet përkatëse dhe u ofrohet qytetarëve komoditet më i madh.

“Lidhjet ndërmjet dy shteteve janë të mëdha, ky është një avancim më i mirë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme nga Maqedonia, Oliver Spasovskiu ka thënë se ky është një akt shumë i rëndësishëm, nga i cili dobi më të madhe do të kenë qytetarët e dy shteteve.

“Ky proces ka filluar shumë kohë përpara dhe do të vazhdojë me kapitull të ri. Është një akt ndërkombëtar që dobi më të madhe do të kenë qytetarët e dy shteteve. Gjatë realizimit të kësaj të drejte besojmë që ky hap do të përmirësoj bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë Spasovskiu.

Ai po ashtu ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe në disa sfera tjera të sigurisë. Ndërsa, për sigurinë ndërkufitare ndërmjet dy shteteve, ministri i  Maqedonisë ka thënë se siguria është stabile.

Sipas tij, duhet të jenë me shumë aktiv që të shkëmbejnë informata për të parandaluar krimin e organizuar.