Përfaqësuesja e Kosovës do të garojë në grupin C në kualifikimet për Botërorin e Basketbollit “Kina 2019” – Foto: Facebook

Sonte ndeshja e basketbollit Kosovë - Maqedoni

Sot me fillim nga 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja në mes Kosovës dhe Maqedonisë në kuadër të raundit të dytë të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021.

“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në aspektin organizativ, derisa përfaqësuesja jonë është më se e motivuar për ndeshjen e sotme”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha beson se me përkrahjen e tifozëve Kosova do t’ia dalë të dëshmojë lojë të mirë dhe kështu të nxjerrin rezultat pozitiv.

Ai ka bërë thirrje tek të gjithë adhuruesit e sportit që të vijnë në numër sa më të madh në ndeshjen e sotme, sepse sipas tij Kosova e meriton një gjë të tillë.

“Jemi përgatitur mjaft mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, do të luajmë para publikut tonë dhe shpresojmë se palestra do të mbushet, sepse presim përkrahje shumë të madhe. Jemi shumë të motivuar, Maqedoninë e kemi mposhtur vitin e kaluar, andaj mund ta mposhtim prapë para shikuesve tanë. Trajneri i ri është me ne, është një freski për ekip, ka bërë një punë shumë të mirë me ne. E dimë se çfarë ka qenë kur ka luajtur basketboll, dhe eksperiencën e tij na e ka përcjell neve”, është shprehur Berisha.

Më tej Berisha ka shtuar se Maqedonia ka disa ndryshime në ekip, por që Kosova është një ekip i ri, më i shpejtë dhe më i motivuar.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë me dy stile të ndryshme të lojës, por unë kam besim të madh tek të gjithë dhe jam shumë optimist për gjithë atë që do ta shfaqim në parket”, ka përfunduar Berisha.

FBK njofton të gjithë adhuruesit e sportit se tek obelisku “Newborn” në Prishtinë kanë dalur në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Maqedoni.

Çmimet e biletave janë 2 euro  dhe 10 euro.