Andrei Karlov, ambasadori i vrarë rus në Turqi. Foto: Facebook

Kosova Dënon Atentatin Ndaj Ambasadorit Rus

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj i shprehën ngushëllime familjes

“E dënoj me fjalët më të ashpra sulmin neveritës, terrorist ndaj ambasadorit rus në Ankara”, tha Presidenti Thaçi në dënimin e tij të postuar në Twitter.

Njëjtë sulmin e ka dënuar edhe kryeministri Isa Mustafa.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon sulmin ndaj ambasadorit rus në Turqi. Ngushëllime të gjithë të prekurve”, tha kryeministri Isa Mustafa në një postim në Twitter.

Ndërsa ministri i jashtëm Enver Hoxhaj shprehu ngushëllime në emër të popullit të Kosovës.

“E dënoj fuqishëm sulmin ndaj ambasadorit rus në Turqi. Ngushëllime familjes dhe qeverisë (ruse) nga populli i Kosovës”, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë së Kosovës.

Ambasadori rus në Turqi, Andrei Karlov, është vrarë sot me armë zjarri në një galeri fotografish në kryeqytetin turk, Ankara.

Karlov po merrte pjesë në një ekspozitë të quajtur “Si e shohin turqit Rusinë“, kur është qëlluar nga prapa teksa po mbante fjalim.

Sulmuesi raportohet se bërtiti “Zoti është i Madh, Mos e harroni Aleppo-n”, kur e qëlloi ambasadorin Karlov.

Sulmuesi u tha të ketë shtënë fillimisht në ambasadorin para se të urdhëronte njerëzit të largohen nga salla. Thuhet po ashtu se ai e qëlloi ambasadorin rus edhe pasi ra në dysheme.

http://kallxo.com/vritet-ambasadori-rus-ne-turqi/