Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto nga arkivi.
Ambasadori rus në Beograd: Vuçiq më informoi se Perëndimi qëndron pas trazirave në Beograd
Ambasadori i Rusisë në Beograd, Bochan Kharchenko, tha për televizionin Rusia 24 se presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi e informoi atë se Perëndimi qëndron pas trazirave të djeshme në Beograd, raporton televizioni serb N1.
“Opozita filloi protestat, të cilat u mbështetën nga jashtë. Vuçiq foli për këtë, nuk mund të flas për detaje, sepse informacioni është konfidencial. Por ai ka prova të pakundërshtueshme se nxitja e trazirave ka ardhur nga perëndimi” – tha Kharchenko pas takimit me presidentin serb.
Vuçiq më herët gjatë ditës së sotme në profilin e tij në Instagram ka shkruar se ka njoftuar ambasadorin Kharchenko për trazirat e mbrëmshme në Beograd dhe ka përsëritur se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur sigurinë e qytetarëve dhe Serbisë.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe ngjarjet aktuale gjeopolitike. I përcolla ambasadorit urimin që dy popujt tanë t’i presin në paqe dhe mirëqenie festat e ardhshme dhe Vitin e Ri” – tha Vuçiq.
Më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd.
Gjatë protestës, një grup personash të maskuar kanë tentuar të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, kanë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.
Policia më pas u vendos para Kuvendit të Beogradit dhe i largoi të grumbulluarit nga ajo pjesë e qytetit ku ndodhen ndërtesat e Presidencës së Serbisë, Kuvendit të Serbisë dhe selia e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Policia tha se shtatë policë kanë mbetur të lënduar.
Kjo ishte protesta e shtatë e opozitës në kryeqytetin e Serbisë me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Lista “Serbia kundër dhunës” pretendon se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet vodhi zgjedhjet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga vende jashtë Serbisë.
Opozita serbe: Incidentet në protestë i shkaktuan “huliganët e autoriteteve”